NUK E HARROJMË TË MIRËN ...

Shkruan: Abas Fejzullahu
(Marrë nga "Bota Sot", dt.3 gusht 2003, fq.19)

Abas Fejzullahu

NUK E HARROJMË TË MIRËN QË E KENI BËRË
PËR SHKOLLËN TONË NË MUSHNIKOVË

Me respekt përkujtomë punën e mbarë të z.Tahir Berisha rreth hapjes së shkollës shqipe në fshatin Mushnikovë, komuna e Prizrenit.

mushnikovaDeri në vitin 1971 në Mushnikovë mësimi edhe për shqiptarët është zhvilluar në gjuhën serbe, prej klasës së parë deri të katërtën, ndërsa prej klasës së pestë, mësimet i kanë vijuar nxënësit tonë në shkollën qendrore "M.Pijade" në Sreckë. Me kërkesën e prindërve dhe organizatorin e mbledhjes së nënshkrimeve, tani i ndjeri Mehmet Smajli, të shoqëruar nga Rasim Smajli e disa njerëz të tjerë, ia dorëzuam KK-së së Prizrenit kërkesën për të lejuar hapjen e një klase me mësim në gjuhën shqipe. Ne kërkuam ndihmë, duke iu drejtuar Inspektoriatit Komunal të Arsimit, përmes z.Rexhep Kryeziu, nga Brezna e Sharrit, i cili u dëshmua dashamir i Arsimit kombëtar dhe i cili me përkushtim përkrahu kërkesën e fshatarëve, duke u interesuar vazhdimisht për kuadër të mirëfilltë për mësimdhënie deri në momentin e fundit të jetës së tij. I ndjeri Rexhep Kryeziu ka vdekur në vitin 1985.

Por vendimin tonë e kanë ndihmuar edhe disa dashamirë tjerë, në mënyra të ndryshme, direkte e indirekte, si Xhemil Doda dhe Ismail Bytyçi. Gjatë vitit shkollor 1971/72 u hap paralelja e parë me mësimin në gjuhën shqipe. Fillimisht pati shumë pengesa nga ana e nacional-shovenizmit serb, duke filluar që nga drejtori i atëhershëm serb i shkollës qendrore në Sreckë, duke i përfshirë edhe strukturat politiko - shoqërore e administrative të asaj kohe në KK - në e Prizrenit! Në adresë të Mehmed dhe Rasim Smajlit nga Mushnikova, si organizatorët kryesorë për hapjen e shkollës shqipe, u dërgua Letra Anonime me kërcënime nga më të ndryshmet nga ana e Organizatës Sekrete Serbe me seli në Ferizaj të nënshkruar nga "Maja e Zezë - ne së bashku me shokët tonë!". Në ndihmë është shquar posaqërisht z.Mikel Lumezi, tani i ndjerë, në atë kohë Sekretar për Arsim pranë komunës. Për shkaqe të rrethanave specifike dhe vështirësive nga ma të ndryshmet disa nga mësimdhënësit e lëshonin punën, e disa të tjerë, fatkeqësisht, iu përshtatnin kërkesave të drejtorisë, e cila punonte për mbylljen e shkollës shqipe të posa hapur në Mushnikovë. Përgjegjësit nga KK-ja e Prizrenit për çështje të arsimit na dërgonin mësimdhënës të pakualifikuar dhe të pa përgaditur profesionalisht, ashtu siç planifikonte drejtoria për qëllimet e saja, për të mos patur sukses mësimi në gjuhën tonë, për të mundur ta kthenin përsëri në gjuhën serbe, si më parë. Vendet e lira për mësimdhënës në gjuhën shqipe për paralelen e ndarë fizike në Mushnikovë, Pleqësia e Shkollës Fillore në Sreckë atëbotë i shpallte në një gazetë serbe, me qëllim që të mos ketë konkurues, sepse e dinin se shqiptarët nuk e lexonin atë gazetë.

Nxënësit tonë i patëm përgaditur të përshëndetnin banorët vendas pa dallim përkatësie kombëtare, me: "Mirë dita!", kurse minoritarët e atëhershëm serbë iu përgjigjeshin keq e më keq, për ç'farë edhe informuam përgjegjësit e shkollës, fshatit, komunës por shkuam edhe deri në Prishtinë për të realizuar të drejtën tonë, të drejtën për të mësuar shqip.

Kërkesën tonë ia dërguam Inspektoratit Krahinor për Arsim, Shkencë e Kulturë, në Prishtinë më 24 prill të vitit 1976. Ne prindërit e nxënësve pas disa mbledhjeve në fshat e shkollë me strukturat e atëhershme komunale ndeshëm në kundërshtime të rrepta dhe vendosëm që të shkojmë në Kuvendin e Kosovës. Shkuarja e 56 prindërve në Prishtinë u realizua më 6 shtator 1976. Në korridor e takuam z.Tahir Berishën - inspektorin, i cili pas një bisede të shkurtër pasi pa grumbullin e prindërve, buzëqeshi nga kënaqësia duke më thënë: "Mirë ia keni bërë që keni ardhur kështu!". Pastaj ua shtrumë hallet tona të punësuarve nga të cilët patëm reagime të papritura. Më kujtohet shumë mirë se z.Berisha u angazhua tej mase, duke na përkrahur me të gjitha mënyrat. Ndoshta atij nuk i kujtohet ajo ndihmë ngase ka patur shumë vështirësi, megjithatë ne mushnikovasit nuk mundëm t'ia harrojmë përkrahjen e tij për të hapur shkollën shqipe edhe në fshatin tonë.