Ballina Informata Hapja Solemne

Në manifestimin që u mbajt me 1 shtator 2003, me rastin e hapjes së kësaj qendre, morën pjesë shumë mysafirë, miq e dashamirë të arsimit dhe të kulturës kombëtare, në mesin e të cilëve edhe tre kryetarët e komunave: Ferizaj, Kaçanik e Viti.

Enkas për këtë solemnitet nga Londra kishte ardhur edhe veterani i arsimit dhe publicisti Tahir Z.Berisha (www.tahirzberisha.com), i cili kësaj qendre ia dhuroi një bibliotekë komplete me nga disa ekzemplarë të të gjitha veprave të veta dhe të librave të tjerë, mandej poeti dhe arsimtari Hamza Halabaku, i cili përkohësisht jeton dhe vepron në Gjermani si dhe shumë prindër e të tjerë.

Solemnitetin e hapi dhe në emër të themeluesit i përshëndeti të pranishmit z.Suat Berisha, e mandej drejtori i Qendrës Prof. Mujë Berisha i njoftoi të pranishmit me planprogramin mësimor dhe degët e seksionet e këtij institucioni të parë privat edukativo - mësimor në Kosovë të liçensuar me vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës.

Në emër të strukturave kulturo - arsimore të Kosovës, të pranishmit i përshëndeti dr.Mehmet Halimi, kurse në emër të organeve të pushtetit lokal z.Adem Salihaj, kryetar i KK të Ferizajit. Këta të dy e prenë edhe shiritin e inaugurimit të Qendrës.

Nxënësit e Shkollës Fillore të Vërbanit nën udhëheqjen e arsimtarit Heset Bislimi e shfaqën një program të pasur kulturo - artistik, kurse arsimtari i biologjisë i kësaj qendre, para të pranishmëve demonstroi praktikisht disa metoda bashkëkohore të mësimdhënies.

Në fund, Aga Xhite, emrin e te cilit e mbanë kjo qendër, për të gjithë të pranishmit, shtroi një koktel.

Qendrës Shkollore Private "Aga Xhite" në Ferizaj i dëshirojmë punë të mbarë dhe suksese në misionin e saj të shenjtë!

Ferizaj, 1 shtator 2003


Copyright © 2003 - Qendra Shkollore Private "Aga Xhite"