KUSH ËSHTË BAJRAM SHEN?

(Marrë nga libri i Tahir Z. Berishës:
"Shënime dhe ecejake të një refugjati nga Kosova", Londër 2001, Shënime nga Turqia, fq.37)

Bajrush Misini
Bajrush Misini me bashkëshorten,
fëmijet, nipat dhe mbesat
Kirklareli,2 qershor 1999
Gjatë qëndrimit njëjavor në Stamboll, qemë mysafirë te djali i axhës së bashkëshortes sime. Ai përpara quhej Bajrush Misini, por pas shpërnguljes në Turqi në vitet e '50-ta, e pagëzuan me emrin e mbiemrin e ri: Bajram Shen. Por të shohim se kush është në të vërtetë ky njeri dhe ç'prejardhje ka?

Gjyshi i tij, Hasan-Agë Misini ka qenë me prejardhje nga Pozharani i Vitisë. Ai kishte shumë tokë në Pozharan e Kllokot dhe shtëpi në Gjilan. Me pushtimin e Kosovës nga Serbia në vitin 1912, atij iu konfiskua toka dhe iu dha kolonistëve në bazë të të ashtuquajturës reformë agrare. Prandaj, Hasan Aga me të dy djemtë, Selmanin dhe Myrtën, shpërngulet në Shkup me qëllim që më vonë të kalonte në Turqi. Aty Myrtës i lind djali, Bajrushi, nikoqiri ynë, dhe vajza Maberja. Në vitin 1941, pas kapitullimit të Jugosllavisë së Vjetër, e tërë familja Misini kthehet në Pozharan në tokën e vet. Mirëpo, kah fundi i vitit 1944, Myrta duke shkuar në Gjilan me një shok, has në kolonën e partizanëve, të cilët, e kishin "çliruar" këtë pjesë të Kosovës. Në kolonë kishin qenë edhe dy ish kolonistë nga Pozharani, vëllezërit Boshko e Stanko Ivkoviq, të cilët në prag të përfundimit të luftës, sikurse edhe shumë çetnikë të tjerë, ishin futur në rradhët e partizanëve. Ata e njohin Myrtën dhe i japin shenjë patrullës së tyre që t'i lidhin te dy shqiptarët. Kështu, kolona me dy të lidhurit kalon përreth shtëpisë së Myrtës në Pozharan. Këtë e hetojnë disa bashkëfshatarë dhe dy fëmijët e tij të mitur. Ata turren në drejtim të babait duke e ftuar që të vijë në shtëpi, por ushtarët i largojnë në mënyrë të vrazhdë. Myrta i zbehur në fytyrë dhe i vetëdijshëm për rrezikun që i kanosej, u thotë fëmijëve që të hyjnë brenda se babi do të kthehet shpejt. Vërtet ai u kthye po atë mbrëmje, por fatëkeqësisht, i vdekur, sepse posa kishin dalur nga fshati i kishin therrur dhe kufomat e tyre të masakruara i kishin hedhur nën një urë në fshatin kolonist Tankosiq. Po atë natë sipas porosisë së një hoxhe, kufoma e Myrtës varroset në oborrin e Xhamisë së Pozharanit, me rroba të përgjakura pa kurrfarë ceremonish, sepse në këtë mënyrë gjoja shkon "shehit".

Në një situatë të këtille të turbullt, e veja e Myrtë Misinit, Nagjia, në shpejtësi i kishte marrë disa plaçka më të nevojshme, në mesin e të cilave edhe pallton e të ndjerit, ashtu të përgjakur e të shkyer nga bajonetat dhe me të dy jetimat kishte shkuar prapë në Shkup, ku i kishte edhe vëllezërit e vet.

Kur, kah vitet e '50-ta, u shpërngulën për Turqi, Nagjia, e kishte marrë me vete edhe pallton e të shoqit të cilën disa vite e kishte ruajtur me xhelozi në fund të arkës. Por para se të vdiste në Stamboll, ia kishte treguar të birit, Bajrushit, i cili ishte pikëlluar shumë. Ata që e kanë vizituar më shpesh tregojnë se Bajrushit sa herë që i kujtohej ndarja e fundit me babanë e lidhur para pragut të shtëpisë në Pozharan edhe vrasja e tij mizore, e kërkonte këtë pallto dhe fillonte të pijë e të qajë para fëmijëve të hutuar, të cilët të lindur në Turqi, nuk ishin në gjendje t'i kuptonin traumat e babait që i kishin mbetur nga vendlindja. Për këtë arsye, pas vdekjes së nënës Nagjie, dajët e Bajrushit, tinzisht, e kishin larguar këtë pallto nga arka duke i thënë se atë ia kishin falur një të vobegti.

Bajrushit, turqit ia kanë ndërruar emrin, por ai djalin e vet më të madh e ka pagëzuar me emrin e babait - Myrtezan, kurse të dytin me emrin e xhaxhait-Sylejman. Kështu, ka vepruar edhe me vajzat, nipat dhe mbesat duke i përtrirë emrat e paraardhësve të vet.

Pas largimit të ushtrisë dhe policisë jugosllave nga Kosova, Bajrushi u interesua të dijë se a ka farë mundësie që t'i rikthejë pronat e gjyshit e të babait, pasi që ende i ruan tapitë e tokës tek një kusheri në Shkup.

Sikur të kishte farë drejtësie në këtë botë, do të duhej të ripronësohej edhe Bajrushi, i cili përkundër gjithë asaj pasurie të gjyshit e të babait, edhe sot e kësaj dite jeton me qira në Stamboll, pasi që nuk ka arritur të sigurojë një shtëpi të vetën për familjen e tij shumëanëtarëshe.