|
||
|
shkruan: REXHEP RIFATI, "Bota Sot", 17 dhjetor 2005, fq.20 JU NJOHIM ME PERSONALITETET E SHQUARA SHQIPTARE NË DIASPORË VETERANI QË EDHE NGA LONDRA BËN PUNË KOLOSALE PËR PËRJETËSIMIN E ROLIT TË ARSIMTARIT NË SHOQËRINË SHQIPTARE
Që në fillim të këtij shkrimi do theksuar se zotëri Tahir Z. Berisha është një ndër personalitetet më të shquara dhe më eminente shqiptare që për më se gjysmë shekulli u përkujdes për përjetësimin e rolit të arsimtarit në shoqërinë shqiptare, duke nxjerr në dritë tri vëllime të mëdha librash kushtuar pishtarëve të arsimit tonë edhe atë jo vetëm në trojet shqiptare, por së voni edhe në diasporë. Tahir Z. Berisha ( i lindur në Vërban të Vitisë më 1928) pas maturës së mësuesisë në Pejë, kryen Shkollën e Lartë Pedagogjike (Gjuhë Shqipe dhe Letërsi) dhe Fakultetin Filozofik në Shkup, për të shërbyer në shumë institucione arsimore të Kosovës, ndërsa që nga viti 1999 jeton dhe vepron në Londër . Ai edhe pse ka mbush të 77-tatë edhe më tej është tejet aktiv në jetën shoqërore - kulturore e në veçanti në publicistikë . Kësaj radhe ky prezantim ka të bëjë kryesisht me angazhimin e Tahir Z. Berishës rreth hapjes së paraleleve të para të mësimit plotësues në diasporë. Ja se çka deklaron ai lidhur me këtë temë: - Me kënaqësi dhe mburrje mund të konstatoj se si kryeinspektor krahinor i arsimit gjatë periudhës 1970 - 1985, kam pasur fat dhe nderin që i pari ta inicoj organizimin e arsimit në botën e jashtme dhe ta mbikëqyri zbatimin e ligjeve lidhur me shkollimin e punëtorëve dhe fëmijëve tanë në botën e jashtme. Mirëpo, deri në vitin shkollor 1976/77, veprimtaria e Sekretariatit Krahinor të Arsimit për Kosovë sa i përket kësaj çështjeje, ka qenë e kufizuar vetëm në nostrifikimin dhe ekuivalencën, përkatësisht njohjen e kualifikimeve të fituara në botën e jashtme, që i lëshonin universitetet popullore dhe qendrat e ndryshme shkollore të Serbisë në gjuhën serbe.
Cilat ishin shkollat e para shqipe dhe ku u hapën ato në Perëndim? Lidhur me këtë pyetje Tahir Berisha thekson se : “ Konsiderohet se gjatë periudhës 1964 - 1978, vetëm nga Kosova kanë qenë mbi 50,000 punëtorë tanë në botën e jashtme. Pra, në vitin shkollor 1976/77, për herë të parë u intensifikua organizimi i formave të ndryshme të shkollimit në gjuhën shqipe të punëtorëve tanë dhe fëmijëve të tyre me qëndrim të përkohshëm në botën e jashtme. Kështu, deri në vitin 1980 mësimi plotësues për fëmijët shqiptarë u organizua në Belgjikë (në 4 shkolla), në RF të Gjermanisë (në 6 shkolla), në Austri (në 1 shkollë), dhe në Francë (në 2 shkollë), ku u përfshinë gjithsej 475 nxënës, me të cilët punuan 10 arsimtarë të rregullt dhe 2 me honorar. Numri i shkollave, nxënësve dhe arsimtarëve erdhi duke u shtuar për çdo vjet në Gjermani, Zvicër, Belgjikë, Austri, Suedi, Finlandë, Amerikë, Australi etj. Momentalisht ende nuk e kemi evidencën e saktë të numrit të shkollave, nxënësve dhe arsimtarëve në mbarë diasporën shqiptare, por, si duket kohëve të fundit në disa vende intensiteti i punës së tyre ka rënë. Prandaj, këta kanë merituar që emrat e tyre të shënohen, të përjetësohen e të mos harrohen. Si filloi publikimi i monografive: "Emra që nuk harrohen...” ? Me shpenzime të mia dhe me ndihmën e disa dashamirëve në vitin 1994 arrita ta botoj vëllimin e parë të Monografisë "Emra që nuk harrohen - Arsimtarët Veteranë 1941 - 1951", ku u përfshinë mbi një mijë biografi e portrete të këtyre pishtarëve të parë të arsimit që i hapën shkollat e para në trojet shqiptare jashtë kufijve administrativ të shtetit amë. Dy vjet më vonë, më 1996, e pa dritën e botimit edhe vëllimi i dytë, ku gjithashtu u përfshinë mbi një mijë biografi të veteranëve të arsimit të kësaj periudhe. Lufta e fundit në Kosovë ma ndërpreu punën në hartimin e vëllimit të tretë të kësaj monografie, të cilën e përfundova në Londër si refugjat. Edhe në këtë vëllim janë përfshirë disa qindra biografi të arsimtarëve veteranë të kësaj periudhe. Kumbonat e alarmit tashmë kanë filluar të bien! Më tej ky veteran i arsimit shton se: “Momentalisht është aktualizuar mësimi plotësues për fëmijët shqiptarë në diasporë dhe roli i arsimtarëve si promotorë kryesorë e vendimtar. Madje, në disa shtete me kohë kanë filluar të bien kumbonat e alarmit, sepse në shumë familje të emigrantëve shqiptarë ka filluar të zhduket gjuha shqipe dhe fëmijëve të tyre u kërcënohet me të madhe asimilimi dhe humbja e identitetit kombëtar. Prandaj, në marrëveshje e bashkëpunim me kolegët e mi, Hamza Halabakun dhe Çerkin Bytyçin i kemi hyrë punës për hartimin e vëllimit IV të librit "Emra që nuk harrohen - Arsimtarët shqiptarë në diasporë". Duke ua njohur meritat dhe rolin këtyre arsimtarëve, dëshirojmë që edhe emrat e tyre t'i përjetësojmë, e me anë të tyre ta aktualizojmë dhe ndihmojmë zhvillimin e mësimit plotësues të fëmijëve shqiptarë në diasporë, duke i sensibilizuar edhe ministritë e arsimit të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi dhe përfaqësitë e tyre diplomatike në shtetet e ndryshme, ku jetojnë shqiptarët dhe ku ekzistojnë mundësitë ligjore për mësimin plotësues të fëmijëve të emigrantëve. Dihet se rol të veçantë dhe vendimtar në pengimin e asimilimit gjuhësor e kombëtar të moshave të reja të fëmijëve tanë në emigracion, përveç familjes, luajnë arsimtarët shqiptarë të mësimit plotësues, konstaton Tahir Berisha.
|