RËNDËSIA E MËSIMIT
PLOTËSUES DHE ROLI I ARSIMTARËVE
SHQIPTARË TË DIASPORËS
Me të drejtë shumë pedagogë e mendimtarë shqiptarë
e të huaj i kanë çmuar e madhëruar arsimin në
përgjithësi dhe rolin e mësuesit e të arsimtarit në
veçanti. Këtu po i citoj vetëm disa prej tyre:
"Arsimi është fortesa e lirisë, arma e demokracisë,
shpresa e rinisë, mburrja e djelmërisë dhe gëzimi
i shekullit. Me fat janë kombet që e mirëpresin" -
thotë Henry Van Dyke
"Një popull sa ka nevojë për shtet, për bukë
e ujë, po aq ka nevojë edhe për mësues!" - vlerëson
filozofi, pedagogu e racionalisti i njohur freng Zhan Zhak Ruso
Ndërkaq, mendimtari tjetër Etjen Kabe mendon se "Puna e
mësuesit është, ndoshta, profesioni më i vlefshëm,
sepse kjo është puna më e dobishme për bashkësinë
dhe ushtron ndikimin më të fuqishëm në fatin e përbashkët".
Punën, kontributin, vështirësitë dhe sakrificat e
arsimtarëve shqiptarë që nga mesjeta e deri në kohën
e sotme, e ka çmuar e vlerësuar lartë e drejtë edhe
Fan Noli ynë i madh - "Ata (arsimtarët) ishin njerëz
me privacione e me vojtje dhe me tortura të çdo minute, përpara
të cilëve edhe ferri i Dantes ishte një panair i bukur"
- thotë ai. Këtë vlerësim të Fan Nolit e ka vërtetuar
i tërë historiku i deritashëm i zhvillimit të arsimit
dhe shkollës shqipe. Sepse siç shkruan edhe shkrimtari italian,
Arturo Grof, "Arsimi është një bimë tejet kryeneçe,
e cila nuk gjelbëron as që lidh kokërr, në qoftë
se nuk ujitet me lot e gjak".
Për fat të keq, shqiptarët në të kaluarën
kanë qenë të detyruar që të derdhin shumë
lot, gjak e djersë për të mbajtur e zhvilluar arsimin kombëtar,
kurse në ballë të këtyre përpjekjeve gjithmonë
kanë qenë arsimtarët me patriotët dhe dashamirët
e tjerë të arsimit dhe të kulturës kombëtare.
Duke qenë i prirur nga këto vlerësime e mendime mbi rëndësinë
e arsimit kombëtar dhe rolin e meritat e arsimtarëve në
këtë fushë, në Takimet VII të veteranëve
të arsimit të Kosovës, në Mitrovicë më 1997,
pata propozuar formimin e Këshillit inisiativ për hartimin e
Monografisë së arsimtarëve veteranë, të cilët
i hapën shkollat e para shqipe në trojet shqiptare gjatë
dhe pas Luftës II Botërore në periudhën 1941 - 1951.
E zgjodha këtë periudhë si etapën më të
rëndësishme për zhvillimin e arsimit shqip, në trojet
shqiptare, jashtë shtetit amë, pas asaj të zhvillimit të
arsimit që filloi në Shqipërinë e Pavarur më
1912.
Dihet se për shkak të pushtimeve të ndryshme nga të
huajt shkollat shqipe në të kaluarën asnjëherë
nuk kanë qenë krejtësisht të lira dhe legale. Të
këtilla u bënë vetëm pas Pavarësisë së
Shqipërisë më 1912, por, vetëm në territorin
e saj të ngushtë. Në Kosovë, Maqedoni, Mal të
Zi dhe Sanxhak, që mbetën jashtë kufijve administrativ
të shtetit amë, nuk u lejua hapja e shkollave dhe mësimi
në gjuhën shqipe. Mirëpo, pas kapitullimit të Jugosllavisë
monarkiste më 1941, në saje të largpamësisë dhe
vizionit të qartë të ministrit të atëhershëm
të arsimit të Shqipërisë, prof. Ernest Koliqit, arsimi
në këto troje shqiptare që iu bashkuan Shqipërisë,
mori hov të madh dhe gjatë periudhës 1941 - 1944 lëshoi
rrënjë të thella dhe vuri themele të forta. Është
për t'u admiruar puna e Misionit të Jashtëzakonshëm
Shkollor që e formoi Ministria e Arsimit e Shqipërisë,
i cili për një kohë shumë të shkurtër, e
studjoi gjendjen e arsimit dhe nevojat kadrovike e tjera për zhvillimin
normal të mësimit në këto vise të liruara. Por,
pa dyshim, kontributin më të madh të drejtpërdrejtë,
e dhanë ata mësuesit e parë që erdhën vullnetarisht
nga Shqipëria dhe me punë të palodhshme dhe enthuziazëm
të paparë i hapën shkollat e para shqipe në këto
troje në mënyrë konstitucionale, duke e ngritur vetëdijen
kombëtare tek brezat e ardhshëm shqiptarë. Prandaj, këta
kanë merituar që emrat e tyre të shënohen, të
përjetësohen e të mos harrohen. Mirëpo, për shkaqet
e njohura, këshilli i propozuar për hartimin e kësaj monografie,
nuk u mblodh asnjëherë, e shqiptarët u larguan me dhunë
nga të gjitha institucionet. Në një situatë të
këtillë m'u dasht ta marrë vetë përsipër
këtë detyrë. Kështu, në Kuvendin Themelues të
LASH-it "Naim Frashëri" në Prishtinë, më
12.12.1990, duke i përshëndetur të pranishmit në emër
të Kryesisë së Shoqatës të Veteranëve të
Arsimit të Kosovës, edhe një herë e aktualizova këtë
çështje dhe, në mes tjerash, theksova edhe sa vijon:
"... Mendoj se formimi i një asociacioni të këtillë
ka qenë nevojë e domosdoshmëri e kahershme e sidomos viteve
të fundit, kur arsimit shqip, filloi t'i kërcënohet rreziku
permanent nga masat e të ashtuquajturit "shtet juridik"
policor të Sërbisë... Veteranët e gjallë të
arsimit kosovar janë të bindur se ju, arsimtarët aktualë,
do të jeni pasardhës të denjë të tyre dhe se
do ta vazhdoni edhe më me sukses misionin e shenjtë të
arsimit kombëtar, duke i sendërtuar dhe duke i çuar në
vend idealet e tyre dhe të shumë gjeneratave të mëparshme
të arsimtarëve dhe të dashamirëve të arsimit
shqiptarë..."
Me shpenzime të mia dhe me ndihmën e disa dashamirëve
në vitin 1994 arrita ta botoj vëllimin e parë të Monografisë
"Emra që nuk harrohen - Arsimtarët Veteranë 1941 -
1951", ku u përfshinë mbi një mijë biografi e
portrete të këtyre pishtarëve të parë të
arsimit që i hapën shkollat e para në trojet shqiptare
jashtë kufijve administrativ të shtetit amë. Dy vjet më
vonë, më 1996, e pa dritën e botimit edhe vëllimi
i dytë, ku gjithashtu u përfshinë mbi një mijë
biografi të veteranëve të arsimit të kësaj periudhe.
Lufta e fundit në Kosovë ma ndërpreu punën në
hartimin e vëllimit të tretë të kësaj monografie,
të cilën e përfundova në Londër si refugjat,
që pret botimin. Edhe në këtë vëllim janë
përfshirë disa qindra biografi të arsimtarëve veteranë
të kësaj periudhe.
Shqyrtim dhe studim të veçantë ka merituar edhe periudha
1989 - 1999 e zhvillimit të arsimit në Kosovë, kur pas
mbylljes së institucioneve të Kosovës dhe dëbimit
të shqiptarëve nga to, u bënë fenomen i ditës
"shtëpitë - shkolla", të falura nga populli për
t'u kthyer në lokale mësimi për brezat e rinj shqiptarë,
të cilëve pa të drejtë iu mohua shkollimi dhe shfrytëzimi
i objekteve shkollore që i kishin ndërtuar vetë. Mirëpo,
falë vetëdijes kombëtare, në ngritjen e së cilës
kishin investuar me kohë edhe veteranët e arsimit dhe angazhimit
të LASH-it "Naim Frashëri" dhe institucioneve të
tjera paralele të Republikës së Kosovës, kjo krizë
u përballua me sukses, sepse të gjitha nivelet e arsimit e vazhduan
punën, edhe pse në kushte të vështira e specifike.
Edhe gjatë kësaj periudhe arsimtarët shqiptarë, që
punuan pa paga të rregullta, e dhanë provimin e vet me sukses.
Momentalisht është aktualizuar mësimi plotësues për
fëmijët shqiptarë në diasporë dhe roli i arsimtarëve
si promotorë kryesorë e vendimtar. Madje, në disa shtete
me kohë kanë filluar të bien kumbonat e alarmit, sepse
në shumë familje të emigrantëve shqiptarë ka
filluar të zhduket gjuha shqipe dhe fëmijëve të tyre
u kërcënohet me të madhe asimilimi dhe humbja e identitetit
kombëtar. Prandaj, në marrëveshje e bashkëpunim me
kolegët e mi, Hamza Halabakun dhe Çerkin Bytyçin i
kemi hyrë punës për hartimin e vëllimit IV të
librit "Emra që nuk harrohen - Arsimtarët shqiptarë
në diasporë". Duke ua njohur meritat dhe rolin këtyre
arsimtarëve, dëshirojmë që edhe emrat e tyre t'i përjetësojmë,
e me anë të tyre ta aktualizojmë dhe ndihmojmë zhvillimin
e mësimit plotësues të fëmijëve shqiptarë
në diasporë, duke i senzibilizuar edhe ministritë e arsimit
të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit
të Zi dhe përfaqësitë e tyre diplomatike në shtetet
e ndryshme, ku jetojnë shqiptarët dhe ku ekzistojnë mundësitë
ligjore për mësimin plotësues të fëmijëve
të emigrantëve.
Duke marrë parasysh se numri i familjeve shqiptare në diasporë
është shtuar, sidomos gjatë Luftës së fundit
në Kosovë, çështja e shkollimit të fëmijëve
të tyre nuk guxon të jetë detyrë dhe barrë vetëm
e prindërve dhe arsimtarëve shqiptarë në diasporë.
Aq më tepër se diaspora shqiptare vetën e ndien si pjesë
të shtetit amë dhe zhvillimit të vendlindjes gjithmonë
i ka ardhë në ndihmë dhe i ka sjellë për çdo
vjet të ardhura, si para ashtu edhe gjatë e pas luftës.
Prandaj, si shteti amë, ashtu edhe Kosova, Maqedonia e Mali i Zi,
duhet t'i kenë edhe ministritë e veçanta për diasporë,
siç i kanë shumë shtete dhe të kontaktojnë
më shpesh me komunitetet shqiptare në shtetetet e ndryshme dhe
t'u ndihmojnë me kuadra mësimore, tekste shkollore dhe planprograme
mësimore.
Kur e kemi fjalën për shkollimin plotësues të shqiptarëve
në botën e jashtme, mund të na shërbej si shembull
pozitiv qëndrimi dhe kujdesi i ish ministrit të arsimit të
Shqipërisë Rexhep Mitrovicës gjatë periudhës
1921 - 1924. Ai krahas përpjekjeve këmbëngulëse për
ta ngritur e përparuar sistemin arsimor dhe shkollimin në Shqipërinë
e atëhershme të varfun, asnjëherë nuk i harroi as
bashkatdhetarët e tij kudo që ishin. Ai ishte i brengosur për
fatin e shqiptarëve që jetonin në trojet e tyre nën
zgjedhjen e huaj dhe të atyre të shpërndarë anembanë
botës në mërgim. Në letrën e vet dërguar
Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë,
ai ndër të tjera shkruan: "...Por, do të kujtojmë
se, mjerisht, kemi shumë vllazën qi tue qenun nën sundim
të të huajve, s'kanë për të pasun fatin të
kenë shkolla kombëtare me rrezik që tue u rritun ndër
shkolla të huaja, kanë për të humbur karakterin kombëtar.
E humbja e karakterit kombëtar të vëllazënve tonë
jashtë kufinit, asht jo vetëm një dhunë për kombësinë
tonë por edhe nji dam, kur të merret parasysh sasija e madhe
e atyre, sasi qi, ndoshta, e kapërcen numrin e banorëve të
shtetit tonë." Më poshtë kërkon që të
"ndërmerren masa që këtyre shqiptarëve t'u mësohej
gjuha shqipe me mësues të paguar nga shteti shqiptar! Por, këto
subvencione, thotë ai, duhet dhënë me një urti e mësheftësi
të madhe për t'i mos dëmtuar mësuesit shqiptarë
që do të paguhen..."
Është për të të ardhur keq se ministrat aktualë
të arsimit të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë,
si duket, nuk janë aq të brengosur e të preokupuar me këto
çështje, edhe pse kanë kushte dhe mundësi më
të mëdha se sa i kishte R.Mitrovica në atë kohë.
Kosova edhe pse kurrë nuk ka pasur kompetenca në punët
e jashtme, me ligjet e veta të aprovuara në bazë të
Kushtetutës së vitit 1974, ka qenë e autorizuar për
organizimin e formave të ndryshme të shkollimit të punëtorëve
tanë dhe të fëmijëve të tyre me qëndrim
të përkohshëm në botën e jashtme.
Me kënaqësi dhe mburrje mund të konstatoj se si kryeinspektor
krahinor i arsimit gjatë periudhës 1970 - 1985, kam pasur fat
dhe nderin që i pari ta inicoj organizimin e arsimit në botën
e jashtme dhe ta mbikqyri zbatimin e ligjeve lidhur me shkollimin e punëtorëve
dhe fëmijëve tanë në botën e jashtme. Mirëpo,
deri në vitin shkollor 1976/77, veprimtaria e Sekretariatit Krahinor
të Arsimit për Kosovë sa i përket kësaj çështjeje,
ka qenë e kufizuar vetëm në nostrifikimin dhe ekuivalencën,
përkatësisht njohjen e kualifikimeve të fituara në
botën e jashtme, që i lëshonin universitetet popullore
dhe qendrat e ndryshme shkollore të Sërbisë në gjuhën
serbe. (Konsiderohet se gjatë periudhës 1964 - 1978, vetëm
nga Kosova kanë qenë mbi 50,000 punëtorë tanë
në botën e jashtme). Pra, në vitin shkollor 1976/77, për
herë të parë u intensifikua organizimi i formave të
ndryshme të shkollimit në gjuhën shqipe të punëtorëve
tanë dhe fëmijëve të tyre me qëndrim të
përkohshëm në botën e jashtme. Atëherë u
aplikuan këto forma: a) shkollimi plotësues i fëmijëve
nga grupi i lëndëve nacionale; b) shkollimi fillor i të
rriturve; c) faza e parë e bazës së përbashkët
të arsimit të mesëm të orientuar për të
rritur dhe ç) faza e dytë e arsimit të mesëm të
orientuar, përkatësisht fitimi i kualifikimeve për degët
e ndryshme (hoteleri, ndërtimtari, elektroteknike, metalike etj)
Në këtë mënyrë u kualifikuan me qindra punëtorë
dhe i siguruan vendet e përhershme të punës, gjë që
ua mundësoi t'i sjellin edhe familjet e veta.
Deri në vitin 1980 mësimi plotësues për fëmijët
shqiptarë u organizua në Belgjikë (në 4 shkolla),
në RF të Gjermanisë (në 6 shkolla), në Austri
(në 1 shkollë), dhe në Francë (në 2 shkollë),
ku u përfshinë gjithsejt 475 nxënës, me të cilët
punuan 10 arsimtarë të rregulltë dhe 2 me honorar. Numri
i shkollave, nxënësve dhe arsimtarëve erdhi duke u shtuar
për çdo vjet në Gjermani, Zvicër, Belgjikë,
Austri, Suedi, Finlandë, Amerikë, Australi etj. Momentalisht
ende nuk e kemi evidencën e saktë të numrit të shkollave,
nxënësve dhe arsimtarëve në mbarë diasporën
shqiptare, por, si duket kohëve të fundit në disa vende
intensiteti i punës së tyre ka rënë dukshëm.
Prandaj është i nevojshëm një aksion gjithëpërfshirës
në sigurimin e evidencës së saktë të shkollave,
nxënësve, arsimtarëve dhe të fëmijëve të
tjerë shqiptarë të moshës shkollore. Mirëpo,
këtë punë nuk mund ta bëjnë vetëm prindërit
dhe arsimtarët në diasporë pa angazhimin e drejtëpërdrejt
të organeve kompetente të shtetit amë, Kosovës, Maqedonisë,
Malit të Zi dhe përfaqësive tona diplomatike në vende
të ndryshme, ku janë vendosur shqiptarët.
Dihet se rol të veçantë dhe vendimtar në pengimin
e asimilimit gjuhësor e kombëtar të moshave të reja
të fëmijëve tanë në emigracion, përveç
familjes, luajnë arsimtarët shqiptarë të mësimit
plotësues. Puna e tyre është shumë e rëndësishme
dhe specifike. Ata duhet të jenë shumë të aftë
dhe të kenë takt të veçantë pedagogjik dhe
metoda të përshtatshme mësimore, në mënyrë
që nxënësit t'i interesojnë dhe t'i joshin dhe mësimin
plotësues mos ta konsiderojnë "të mërzitshëm
dhe ngarkesë të tepërt që ua merrë kot kohën
e lirë e pushimin e të shtundeve!".Prandaj, në këtë
mision të shenjtë duhet të caktohen mësuesit më
të aftë të cilët duhet të çmohen, të
ndihmohen dhe të stimulohen më mirë.
Tahir Z.Berisha
Londër, qershor 2004
|