|
||
|
PROMOVIM
Në mungesë të Prof.dr. Pajazit Nushit (që urgjentisht udhëtoi në Shqipëri), referatin për këtë vepër të rëndësishme e lexoi kritiku i njohur letrar, Vehap Shita. Me këtë rast u shënua edhe 77 vjetori i lindjes së autorit, për jetën dhe veprën e të cilit foli Mehmet Gjevori, kryetar nderi i Shoqatës së Veteranëve të Arsimit të Kosovës. Në këtë tubim, mori pjesë një numër i madh veteranësh të arsimit, punëtorësh arsimor e shkencor, bashkëpunëtorësh e nxënësish të autorit dhe dashamirësh të arsimit dhe kulturës kombëtare, të cilët e vlerësuan lartë punën e palodhshme të Tahir Z.Berishës. Në të tre vëllimet e kësaj monografie, Berisha i ka përfshirë rreth dy – tre mijë portrete e biografi të mësuesve të parë që i vunë themelet e shkollave të para shqipe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Sanxhak. Diskutues të shumtë që e morën fjalën në këtë tubim të rëndësishëm e theksuan faktin se kësaj pune, Tahir Z.Berisha i hyri në kohën më të vështirë kur regjimi i Millosheviqit i mbylli të gjitha institucionet arsimore e shkencore në Kosovë, duke i dëbuar dhe përndjekur me dhunë të gjithë shqiptarët. Vëllimin e parë dhe të dytë autori i botoi në vitet 1994 dhe 1996 (që u promovuan edhe në Tiranë), kurse vëllimin e tretë e filloi në Prishtinë në prag të luftës së fundit në Kosovë dhe e përfundoi në Londër. Edhe vëllimi i fundit i ka përfshirë emrat e plejadës së mësuesve të parë që erdhën nga Shqipëria dhe viset e tjera shqiptare në vitin 1941 dhe shërbyen në trojet shqiptare jashtë kufijve administrativ të shtetit amë. Edhe ky vëllim, sikurse edhe dy vëllimet e përparshme, përveç Leksikonit te arsimtarëve veteranë, që është kapitulli më i rëndësishëm i veprës (me fotografi, faksimile e dokumente të rëndësishme), përmban edhe shumë analiza, vështrime dhe shënime të tjera. Kështu, b.f. vëllimi III bën fjalë edhe për shkollat dhe arsimin në Anamoravë gjatë kohës së Jugosllavisë së vjetër, për arsimin shqip gjatë Luftës II Botërore në trojet shqiptare, katër vizitat e autorit në Shqipëri, bashkëpunimin me Shoqatën “Normalisti” të veteranëve të arsimit të Shqipërisë, promovimin e veprave të autorit dhe të veteranit të njohur të arsimit, Mehmet Gjevori në Elbasan, aktivitetin kulturo – arsimor të shqiptarëve në Britani të Madhe. Synim i ardhshëm i autorit Tahir Z.Berisha është Leksikoni i arsimtarëve veteranë 1941 – 1951, i cili do t’i përfshijë biografitë e të tre vëllimeve të botuara dhe emrat e atyre veteranëve të tjerë që nuk janë shënuar deri më tash në tre vëllimet e botuara. Prandaj, ai pret ndihmë dhe bashkëpunim në këtë drejtim.Vizitoni foto albumin nga promovimi |