|
||
|
(Marrë nga www.ks-gov.net/masht, 21 shtator 2007, shih poashtu “Bota Sot” dt.23 shtator 2007, fq.9) Autori Tahir Berisha i dorëzoi ministrit Veliu katër vëllime të librit ”Emra që nuk harrohen“ 21.9.2007 MINISTRI VELIU ÇMOI LARTË VEPRIMTARINË E PALODHSHME TË VETERANIT TË ARSIMIT TAHIR BERISHA Me këtë libër i bëtë të paharrueshme ato vite dhe të pavdekshëm personazhet (mësuesit) e asaj kohe të cilët me aq mund dhe sakrificë e kryen misionin e tyre të shenjtë. Libri “Emra që nuk harrohen” pa dyshim do të ketë vendin dhe vlerën e vet dokumentare në historikun e arsimit në Kosovë dhe vise tjera shqiptare, tha ministri i MASHT në takimin me z. Berisha. Ministri i MASHT Agim Veliu zhvilloi një takim me veteranin e arsimit, Tahir Berisha, krijues i shumë veprave me vlerë të veçantë arsimore, kulturore e historike. Temë bisede e ministrit Veliu me z. Berisha ishin rrjedhat aktuale të arsimit në Kosovë dhe vise tjera të banuara me shqiptarë në periudha të ndryshme kohore, me theks të veçantë në vitet 1941-1951 e që janë objekt trajtimi në librin” Emra që nuk harrohen”. “Jam i nderuar me vizitën dhe veçanërisht për librat e çmueshëm”, tha me këtë rast ministri Veliu. "Me angazhimin tuaj të përkushtuar dhe të mundimshëm për publikimin e librit ”Emra që nuk harrohen“, ju keni dëshmuar se jeni njeri i përkushtuar jetësisht për çështje të arsimit dhe edukimit. Në librin tuaj keni shënuar ngjarjet më të rëndësishme të zhvillimit të arsimimit të asaj periudhe në Kosovë dhe viset tjera shqiptare. Me këtë libër i bëtë të paharrueshme ato vite dhe të pavdekshëm mësuesit e asaj kohe të cilët me aq mund dhe sakrificë e kryen misionin e tyre të shenjtë”, tha ministri i MASHT Agim Veliu. Ndërkaq libri “Emra që Nuk Harrohen” pa dyshim do të ketë vendin dhe vlerën e vet dokumentare në historikun e arsimit në gjuhën amtare theksoi ministri. Në vazhdim ministri Veliu e njoftoi veteranin e arsimit z. Berisha me të arriturat në fushën e arsimit në Kosovë, sfidat dhe prioritetet në funksion të ngritjes së cilësisë, përmirësimit të gjendjes materiale të mësimdhënësve, ndërtimit të shkollave të reja, etj. “MASHT po bënë përpjekje për ngritjen e cilësisë në arsim në mënyrë që të krijojmë kuadro për të konkurruar në tregun euro-perëndimor të punës”, tha Veliu. Një kujdes të veçantë po i kushtojmë mësimit plotësues në diasporë me qëllim të ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe traditës. Veterani i arsimit Tahir Berisha e falënderoi ministrin Veliu për takimin, shprehu kënaqësinë dhe optimizmin e tij për zbatim të suksesshëm të reformave sipas trendeve bashkëkohore të arsimimit. z.Berisha ngriti nevojën për një përkujdesje më të madhe arsimore ndaj fëmijëve tanë në mërgim, për çka MASHT është duke punuar në vazhdimësi. “Libri që po ju lë le të mbetet kontribut imi modest në përjetësimin e ngjarjeve dhe personazheve të një periudhe shumë të rëndësishme të arsimimit të popullit tonë, por sigurisht ka mbetur edhe shumë pa thënë. Do të dëshiroja që edhe autorë tjerë të mbajnë shënime dhe të shkruajnë edhe për vitet që nuk janë përfshirë në këtë libër”, tha veterani i arsimit dhe autori i shumë veprave me vlerë z.Tahir Z. Berisha me rastin e dorëzimit, dhuratë ministrit Agim Veliu, vëllimin e librave. Pamje nga takimi
|