Mujë S. Berisha
"KALORËS KALTËRSIE"

(Poezi të zgjedhura)

ISHTE DIKUR NJË SHTËPI
(fq.10)

Ishte dikur një shtëpi,
Çerdhe e ngrohtë e fëmijërisë,
Pallat ëndërrash djaloshare
Kullë qëndrese e fisit tonë.

Aty së pari çava terrin,
Prisha qetësinë e mëngjesit,
Bëra edhe ca çapkënëri të tjera,
Por, meqë isha djalë dëshiri
Prindërit u gëzuan shumë atë ditë
Dhe fare s'më qortuan,
Por, më bekuan dhe pagëzuan
Me një emër kreshniku,
Ndoshta për ta mundur bajlozin e zi.

Dhe tani, kur shtëpia e lindjes
Pas shumë vjet qëndrese shkoi në muze,
Ndërsa vendin e saj e zuri shtëpia e re,
Mua më mbeti vegim kujtimi për të
Dhe për femijërinë e lumtur që më iku shpejt.

(1996)

ATDHEU
(fq.11)

Beni im ti je i vogël
Të kuptosh se ç'është atdheu,
Sa e çmuar është liria
Ç'bëri për të Skënderbeu.

Pse Kosova sot përflaket
Pse Shqipëria më dysh u nda,
Je i vogël, ti o Beni!
Të kuptosh gjëra të mëdha.
Për atdhe e di shtëpinë
Xhan i babit ku më rritesh,
Djepin ku t'përkundi mami
Ku bën hapa, kah çapitesh.

Po ti rritesh, atdheu t'rritet
Si rrethore n'flatrim shqipesh,
Kapton fusha, male, shkrepa
Si rrezore të fanitet.

Në çdo skaj të ngroh atdheu
Për të zemra t'rrah me gëzim,
Aty veten e ndjen të lirë
Sikur shqipet n'fluturim.

Ben, o xhan, ti je i vogël
Për atdheun pakëz di,
Po ti rritesh edhe mëson
Një atdhe ke, një Shqipëri.

(1999)

KY FLAMUR
(fq.12)

Është një cohë - pëlhurë e shenjtë,
Fushë e kuqe - shkabë e zezë,
Është i lashtë sa Skënderbeu,
I këtij qielli i këtij dheu
Ky FLAMUR!

Djep' i tij është në Krujë
Ku qe zot dhe Kryetrimi,
Aty u ngrit dhe mori famë
Ky simbol - kjo shenjë me namë
Ky FLAMUR!

U qëndroi rrebesh furtunash
I pamposhtur asnjëherë,
Shumë njerëz trima ranë dhe fli
I frymëzoi për liri
Ky FLAMUR!

Dhe kur erdhi Ditë e Madhe
Kryelart u ngrit në Vlorë,
Nga Ismaili - Plak i Ri
Nga Isaja me shokë të tij
Ky FLAMUR!

Kush është trim dhe bir shqiptari
Si n'Kosovë e në Çamëri,
Si në tonën Nëne Shqipëri
I bën nder i jep fuqi
Ky FLAMUR KUQEZI!

(1996)

SHKRONJAT SHQIPE
(fq.17)

Vasha të bukura, të gjuhës motra
Bija të urta të një nëne,
ABECE... që hapin porta
Shqipet tona, magji zane.

Horizonte të dijes çelin
Lërojnë gjuhën, thellë, hulli
Rreze drite gjithkah mbjellin
Kanë një rrënjë, një histori.

Ca të zëshme si gërneta
Ca të heshtura s'ndihen hiç,
Armë të mprehta porsi heshta
Kur godasin mbi armiq.

Vasha t'hirshme, vallëzojnë
Të stolisura me kordele,
Vogëlushet kur i shqiptojnë
Janë shqerka, karamele.

(2000)

KALORËS KALTËRSIE
(fq.21)

Vog'lush Beni sypetriti
Mendjen përplot fantazi,
Dëshiron t'i hipë raketës
T'ngjitet lart në gjithësi.

N'atë sfond të kaltër kupor
Si shqipet të fluturojë,
Do ta prek diellin me dorë
Nga lartësitë të sogjetojë.

T'i hipë dhe hënës së re
Asaj si nuse hirplotës,
Stolisur me rreze dielli
N'rrugëtimin e saj rreth botës.

Ta kapë atë Yll Mëngjesi
Në ballë ta vë xixëllim,
Natën ta bëjë si ditën
Errësira i sjell trishtim.

T'i hipë Qerres së Madhe
I vogël nuk do të mbesë,
T'shetisë kaltërsish t'qiellit
T'i fshijë retë me fshesë.

Do Beni dhe çfarë nuk do
N'atë të tijen fantazi,
Dëshiron t'u ngjitet majave
Ky kalorësi çilimi.

(1997)

KUR VJEN TI, LIRI KOSOVE
(fq.25)

Kur vjen ti, liri Kosove
Je aguliçe, lulëkuqe je,
Agmi drite e ditës së re
Diell pranveror, rrezore;

Je stoli Trepçe, filigran ari
Bukuri Tanushe, je vetë hirësia,
Ajër, ujë, bukë e kripë
Vetë jeta je, ardhmëria;

Je sogjetare n'tokën Dardane
Shqiponjë që lirshëm flatron
Fushave, bregoreve, majë malesh
Flamur kuqezi që kudo vigjilon;

Je shkëmb graniti, ti lirijona
Fort do të mbahemi për ty,
Do të të ruajmë si dritë syri
Të mos verbërohemi përsëri.

(1999)

MOS HARRO KOSOVË
(fq.28)

Ndër luftëra u poqe, u dogje
Kosovë kreshnike, trimëreshë,
Krenare qëndrove, s'u mposhte
Moj sokoleshë!

Nga hiri u ngrite, u rrite
Hije të paska e lirë të jesh,
Kosovë fanare, ti rreze drite
Moj sokoleshë!

Ditët e hidhura ti mos harro
Kosovë, o trime, emër me peshë,
Fortesë graniti prore qëndro
Moj sokoleshë!

Lulëzo Kosovë, vend begatie
Armë diturie n'liri ti ngjesh,
Ti mbesë dardane, bijë Shqipërie
Moj Sokoleshë!

(2000)

MODESTIA E SKËNDERBEUT
(fq.30)

Kur Skënderbeu u kthye në Krujë
Erdhi qetas, pa zhurmë e pa bujë,
Me treqind kalorës dhe me një ferman
Shpejt e mori Krujën trimi kapedan,
Pastaj anembanë Gjergji dhe kushtrimin:
T'bashkohemi, o burra, të marrim vendimin!
N'Kuvendin e Lezhës të lidhemi në besë
Kush e do lirinë të rrojë a të vdesë!
Nga shkrepa të larta, maja t'Ilirisë
U lëshuan si ortiqe djemtë e Shqipërisë:
Gjergj Arianiti, Andrea Topia,
Theodor Muzaka, Lekë Zaharia
Dhe bujarë të tjerë, trima luftëtarë
E zgjodhën Skënderin komandant të parë,
- Të na prijsh, o Gjergj! - i thanë me një zë
Të shporrim nga dheu sulltanë, padishahë,
Të na prijsh, o Gjergj, ti për jetë e mot
Shqipëria jonë të mos jetë pa zot.
Dhe u priu Gjergji n'beteja me turkun
Nga atdhe i shqipeve u pastrua vrugu,
U çlirua vendi nga pranga t'robërisë
U zdrit Shqipëria me rreze t'(I)lirisë,
- Të na rrosh, o Gjergj, trim o Skënderbe!
Që lirinë na e sollë në tonin atdhe!
- Lirinë nuk ua solla, në mes jush e gjeta,
- Të na rrosh, o Gjergj, deri sa t'jetë jeta!

(1999)

DY PUTHJE DHURATË
(fq.32)

Në ditëlindjen e dhjetë,
Për çudinë e Benit,
Babai ia ngrehu veshët
N'vend se t'i jepte dhuratë
Të shijshme - një çokollatë;
Dhe e ngrehu përpjetë,
Diç mbi kokën e tij,
Pastaj e lëshoi lehtë:
- U rritsh si lis, o Beni! - i tha
Dhe e puthi në ballë;
- U rritsh më i madh se babi, zemër!
E uroi e ëma dhe e puthi në faqe.
Beni e shikoi babanë:
Ta arrijë iu duk i madh;
Babi e shikoi Benin:
- Do t'ma kalojë, - i tha i lumtur.
Edhe Beni, atë ditë, ishte i lumtur
Që mori dy puthje dhuratë,
Nga më të dashurit e tij
Dhe harroi veshët e skuqur
E të shijshmën çokollatë.

(1998)

PA TY JETA S'KA KUPTIM
(fq.34)

(Blinës, mbesës në mërgim)

Ti je njomëzake
Lastar blinaje
Lule Balsami
Që shëron plagoma;
Ti Blinë e gjyshit
Bukuroshe e gjyshes
Për ty na djeg malli;
Kthehu dallëndyshe
Në çerdhen e ngrohtë!
Eja na fresko!
Gëzueshëm cicëro!
Lirshëm fluturo!
Të presim çdo pranverë
T'na vish shend e verë
Të na sjellësh gëzim
Pa ty jeta s'ka kuptim.

ZJARR DASHURIE NA MBAN NË JETË
(fq.35)

(ose dialog me ata që i dua dhe më duan)

Unë: Ju dua, o prindër, mbi çdo gjë tjetër,
Ata: Lum për ty bir, ti gëzim i jetës!
Unë: Ty dada Artë n'zemër të mbaj,
Ajo: Gim, xhan, o vëlla, loçka e motrës!
Unë: Arbër, o yll, ti rrita ime!
Ai: Krah më ke Bacë, i yti jam!
Unë: Goni, o Goni më i miri shok!
Ai: S'të ndaj nga zemra se rritemi tok.
Unë: Dard(h)ane imja, dashuri hirplotë!
Ajo: Me afsh të dua, zemra ma thotë!
Unë: Dhe ti Moll(e)Kuqe mendjen ma tretë,
Ajo: Zjarr dashurie na mban në jetë.

(1999)

DREJT SHTIGJEVE BURIM DRITE
(fq.36)

Gushti iku bashkë me vapën
Shtatori erdhi me freski,
Drejt shtigjeve burim drite
Vogëlushët nisen me agmi.

Hapërojnë andej nga shkolla
Nga gëzimi nuri u qesh,
Me çantën plot libra ngjeshur
Krenari është shkollar të jesh.

Yllka, fatose, fatosa
Nxënës të zë syri shumë,
Flutura të lehta si era
Drejt dritës vërshojnë s'i lumë.

Shkolla nga larg u buzëqesh
Krahëhapur i prit n'qafim,
Shtatori i ktheu gjallërinë
Pa fëmijë jeta ska gëzim.

TI VOGËLUSH DHE DETI
(fq.44)

Vera është e nxehtë
Dielli të përcëllon,
Mbi syprinë të detit
Ti vogëlush noton.

Deti t'puth në faqe
Në syçka, në ballë,
Lehtë të gudulisë
Me pikat stërkalë.

Deti të miklon
Me valë si biluri,
Dielli të praron
Me rreze purpuri.

Rrezitesh, noton
Buzëdetit anekënd,
Prej plazhit t'Ulqinit
Deri në Sarandë.

Gjithandej shtegton
Brigjeve t'Ilirisë,
Me mijëra dëshira
N'ëndrra t'ardhmënisë.

SI U NJOHA ME PIONERIN
(fq.52)

(Shkruar në pesëdhjetëvjetorin e
daljes së "Pionerit" - revistë letrare
për fëmijë.)

Më kujtohet ishte shtator
Kur mësuesi na tha:
- "Pioneri" erdhi në shkollë.

E pyeta mësuesin pa djallëzi:
Si duket ai Pioneri
Burrë i vjetër, djalë i ri?!

Qeshi mësuesi me lezet
Pastaj nga çanta e nxori
Të bukur një gazetë.

- Ja, ky është "Pioneri"
Shok i juaj, o fëmijë
Ju sjell tregime, poezi...

E shikova me kërshëri
E lexova fletë për fletë
Ma mbushi zemrën dashuri.

Dhe e bëra të ngushtë shok
Asnjëherë pa u ndarë
Dhe u rrita me të tok.

Prishtinë, 20.12.1997

DËSHIRA E BENIT
(fq.53)

Beni shkoi n'det
Me prindërit e vet
Dhe me gjyshën Tabë
Të mësojë ndonjë përrallë.

Atje në Tivar
Pa shumë marinarë
Të gjithë me uniforma
Me kapela me fjonga.

Aty i lindi një dëshirë
Të bëhet dhe ai i tillë
T'lundrojë nëpër det
Me shokët e vet.

Ta shohë Adriatikun
Ta kalojë Atlantikun
Ta shohë dhe peshkaqenin,
I cili e frikëson Benin.

Të shkojë gjer në Nju-Jork
Të hyjë në Ist River
Të flasë për çarmatimin
Të luftojë kolonializmin
Të mbrojë dhe palestinezët
Të kërkojë paqe për njerëzit.

(1987)

UJKU E QENGJI
(fq.57)

Ujk' i plagosur qimen ndërroi
Nga gjakpirësi u bë urtak,
Me qengjin marrëveshje bëri
Të mos i kërkojë më hak.

Ujku - qengjit:
Ti pije ujë në fund të lumit
Unë shuaja etjen te burimi,
Ujin kurrë s'ma turbullove
Për urti jepet shpërblimi.

Ma shtrij dorën e pajtimit
T'i lëmë zënkat përgjithmonë,
Tash e tutje të bëhemi miq
Qengjat e tu lirisht t'lodrojnë.

Ujku me vete:
Veç një gjë s'duhet harruar
Se jam ujk, s'mund bëhem tjetër,
Sa t'shëroj plagët e trupit
Do ta vazhdoj zejen e vjetër.

(1998)

FËMIJA DHE PESHKU I VOGËL
(fq.58)

Fëmija lëshoi grepin në det
Donte peshk të hante për drekë.

Peshkth i uritur përpiu karremin
Fëmija shpejt mbështolli kalemin.

N'syprinë u duk i vogli peshk
I frikësuar i tha vogëlushit Çesk:

- Më lësho të lutem, t'jetoj dhe pak
Pastaj kur të rritem më ze prapë!

Fëmijës iu dhimbs peshk i ngratë
Lehtë hoqi grepin, mos t'i rrjedh gjak.

Peshku falënderoi fëmijën shumë
Dhe i gëzuar kërceu n'ujë - bëlldum.

Pastaj doli përsëri n'syprinë
Peshkatarit i la porosinë:

- Nëse e lëshon grepin sërish në valë,
Jam mbushur mend, s'gaboj or djalë.

Fëmija i gëzuar që shpëtoi jetë
Mbeti pa peshk, po në shpirt i qetë.

(1997)


muje berisha, zeqe verbani