|
(Tregime të zgjedhura)
PIKTORI I VOGËL
(fq.12)
Benit, kur ishte i vogël, iu kishte tekur të shkarraviste.
Me disa vija të shtrembëra e pa kuptim i mbushte muret e dhomës.
Shkarraviste edhe nëpër xhamat e dritareve, kur mjegulloheshin
nga avulli i kuzhinës, ose kur ngrinin nga acari. Shkarraviste edhe
nëpër pluhur e baltë dhe ku t'i tekej, po më të
shumtën nëpër fletoret e motrës. Edhe librat s'i kursente.
E shfrytëzonte rastin kur Shpresa nuk ishte në shtëpi dhe
tinëz s'ëmës, shpejt e shpejt i mbushte fletët me
vija të llojllojshme.
Shpresa sapo i hetonte sherret e vëllait, niste ta qortonte, por
kur vërente se Beni kishte shkarravitur edhe nëpër libra,
atëherë niste të qante. I dhimbseshin librat, po më
shumë i vinte inat t'ia shihte mësuesja ashtu të vijëzuara.
Edhe e ëma e qortonte për këto sherre, por Benit nuk i
bënin përshtypje as lotët e motrës dhe as qortimet
e s'ëmës. "Kam vizatuar" - arsyetohej shkurt. Kur
e ëma e pyeste se ç'kishte vizatuar, Beni përsëriste
me vendosmëri se kishte vizatuar. Pastaj i numëronte ato gjëra,
nëpërmjet të të cilave shpaloste me vija imagjinatën
e tij prej fëmije. E ëma atëherë s'duronte dot dhe
ia niste të qeshte, e bashkë me të qeshte edhe Shpresa,
se në ato "vizatime" të Benit nuk shihnin gjë
tjetër, përpos ca vijave të bëra kryq e tërthor.
Sapo e nisi shkollën, Beni i ndërpreu ato shkarravinat e tij,
ku mundte dhe ku ia donte qejfi. Tani atë botën e tij e ravijëzonte
në fletoren e vizatimit. Qysh në punimet e para, mësuesit
i ra në sy talenti i Benit. Edhe vetë ishte piktor, andaj shpresonte
që me një përkushtim më të madh, mund t'i ndihmonte
këtij piktori të vogël për të zhvilluar talentin
në lëmin e pikturës.
Vërtet, sapo kalonin ditët, muajt dhe vitet, Beni përditë
e më tepër po i përvetësonte këshillat e mësuesit
për të hyrë në fshehtësitë e teknikës
së pikturimit. Vizatimet e tij tanimë nuk ishin vetëm vija
të imagjinuara, por u pasuruan në përmbajtje. Si të
tilla, ato nisën të gjenin vend në mesin e punimeve më
të mira të nxënësve të shkollës. Herë
herë ndonjëra nga pikturat e tij botoheshin në faqet ose
në ballinat e gazetave dhe të revistave për fëmijë.
Frymëzimi i pikturave të Benit kryesisht ishte vendlindja e
tij me tërë atë ngrohtësinë dhe koloritin e saj.
Madje, diku kah fundi i klasës së katërt, me ndihmën
e mësuesit, Beni hapi ekspozitën e parë të pavarur
në shkollë, të quajtur "Motive vendlindjeje".
Vizitorë të shumtë: nxënës, arsimtarë, prindër
e të tjerë mahniteshin me punimet e këtij piktori të
vogël.
Ngritjen e Benit horizonteve të pikturimit e ndërpreu lufta.
Atë fundmarsi të '99-ës, e tërë Kosova ishte
në flakë. Vendlindja e Benit e bërë shkrumb e hi.
Zjarrvënësit, ca ushtarë me uniforma e maska të zeza
s'e kursyen as shkollën. Bashkë me të tërat u dogjën
edhe pikturat e Benit. Vendlindja i mbeti vetëm në kujtesë...
Në atë llahtari lufte, shumë njerëz u vranë
e u masakruan. Disa u dogjën bashkë me shtëpitë e
tyre. Edhe fëmijët s'u kursyen. Ata që shpëtuan ua
mësynë maleve. Atje ku shpresonin se mund t'i shpëtonin
zjarrit të luftës. Po ata zjarrvënësit, korba të
zinj, u dolën përpara. Me kërcënime të armëve
i detyruan të merrnin drejtimin e Fushë - Kosovës. Prej
atje donin t'i deportonin në Maqedoni apo në dreq të mallkuar.
Po, atje në Fushë - Kosovë po i priste ai treni ogurzi,
e cili po e zbrazte Kosovën.
Edhe Beni me t'ëmën dhe të motrën, u gjetën
në mesin e atyre njerëzve fatmjerë. Me ca plaçka
në shpinë e me fëmijët përdore, e ëma e
Benit, ashtu zemërthyer, po qante pa zë. Beni e Shpresa, me
çantat në dorë, po ecnin si të nemitur. Edhe turma
ishte e nemitur. Vetëm ndonjë zë foshnjeje ose fëmije
të uritur, herë-herë e prishte qetëssinë e atij
mëngjesi të përhitur.
Në stacionin hekurudhor ishte grumbulluar një mori njerëzish.
Policë të shumtë po e ruanin turmën, të gatshëm
që për çfarëdo kundërshtimi të përdornin
shufra dhe armët. Në një moment Beni u shkëput prej
duarve të s'ëmës. Deshi të pijë ujë te kroi.
Një polic me sy të përgjakur e urdhëroi të zmbrapsej.
Beni s'e kuptoi gjuhën e tij. Vazhdoi të ecë drejt kroit
për të njomur buzët e bëra shkrumb. Polici e kapi
për veshi. Deshi t'ia këpusë. E ëma vrapoi pas tij
për ta shpëtuar. Polici i ra me shufër. Në atë
rrëmujë, Benit i ra çanta nga dora. Një polic tjetër
i mëshoi çantës me këmbë. Librat u shpërndanë.
Bashkë me to, edhe ato pak piktura, të cilat i kishte shpëtuar
nga djegia. Beni deshi t'i mbledhë, por polici i ra me shufër
në dorë. Benit s'iu tremb syri. As dhembje s'ndjente. Librat
e pikturat ishin dhembja e tij. Në ato momente erdhi treni. Turma
lëvizi. Polici e la Benin për t'u marrë me turmën.
Pastaj, sa çel e mbyll sytë, vagonët u mbushën me
njerëz. Treni u nis në drejtim të jugut.
Beni me t'ëmën dhe të motrën u gjetën diku në
vagonët e fundit. Po i zihej fryma nga ajo mori njerëzish të
ngjeshur si sardelet. Ashtu i traumatizuar nga braktisja e vendlindjes
dhe dhembja për librat dhe pikturat e mbetura në platonë
e stacionit hekurudhor, ia nisi të dënesë. E ëma e
mori ngrykë. Ngrohtësia e trupit të saj dhe lëkundjet
e trenit, sikur e qetësuan. E kishte zënë gjumi. Një
gjumë plot ëndrra të trishtueshme.
Beni u zgjua vetëm kur u ndal treni. Pastaj mbeti si i nemitur nga
ai ferri i quajtur Bllacë. Tetë ditë e tetë net në
shi e baltë. Nuk fliste fare. Nuk interesohej të hante e të
pinte. Vetëm i shikonte tërë ata njerëz të sfilitur
dhe shkarraviste mbi baltë. Njerëzit mendonin se mos kishte
lajthitur. Jo. Ai me ato vijat mbi baltë po pikturonte vendlindjen.
Nuk donte asnjë moment ta shqiste nga kujtesa.
SHQETËSIM SHPIRTRASH TË
NJOMË
(fq.20)
Atë ditë të ftohtë dhjetori Arbëri e Sokoli
po ktheheshin nga shkolla të lehtësuar nga mësimet e ditës,
por të picerruar nga ai acar i ashpër dimri. Duke nxituar që
të arrinin sa më parë në shtëpi, se të ftohtit
ua ndalte frymën, në kthesën e rrugës ku banonin,
gati sa s'u ndeshën me ca shkallë të vendosura në
murin e një ndërtese dhe me punëtorët, të cilët
po vendosnin njëfarë emri të çuditshëm "Naçertanie".
Në trotuar, cazë e përdhosur, gjendej tabela e mëparshme
me emrin e Hasan Prishtinës.
- Xhaxhi, përse ia nderruat emrin e rrugës sonë? - e pyeti
Sokoli atë punëtorin që gjendej i hipur në shkallë.
Punëtori nuk iu përgjigj, por vetëm e shikoi vëngër,
ndërsa ai tjetri, i cili kundërmonte erë rakie, u foli
me një zë kërcënues: "Deco bezhite odavde!"(1).
Pastaj tabelën e hequr e hodhi në koshin e hedhurinave që
gjendej matanë rrugës.
Zëri kërcënues i atij punëtori, i bërë
xurxull nga rakia, i shqetësoi shpirtrat e njomë të dy
vogëlushëve. Po më shumë i shqetësoi heqja e
tabelës me emrin e Hasan Prishtinës, sikur edhe atë ditë,
kur një dorë barbare ia kishte hequr dhe përdhosur bustin
e vendosur në oborrin e shkollës.
- Ore, këta të pushtetit okupues sikur ia kanë frikën
emrit të Hasan Prishtinës - foli Arbëri sa për ta
thyer heshtjen që i kishte pllakosur, pas asaj që panë
e dëgjuan.
- Si duket, edhe bustin në oborrin e shkollës do ta ketë
hequr dhe përdhosur një dorë barbare e po këtij pushtuesi
të huaj - e plotësoi Sokoli mendimin e shokut.
- Apo s'të kujtohen fjalët e drejtorit të shkollës
kur na pati folur se okupatori serb ka për qëllim që ne,
shqiptarëve, të na i shlyejë gjurmët nga faqja e dheut
- e përkujtoi Arbëri.
- Diku kam lexuar se edhe ajo fjala "Naçertanie" po nënkuptuaka
një program të kahershëm famëkeq serb për shpërnguljen
e shqiptarëve nga trojet etnike - e plotësoi Sokoli mendimin
e Arbërit.
- E po s'do t'ia arrijnë dot - foli si me inat Arbëri.
- Eja, pra, ta marrim nga koshi i hedhurinave tabelën e hequr - i
tha Sokoli shokut, se në atë çast i lindi një ide
në kokë.
- E ç'të bëjmë me të ?! - e pyeti Arbëri
i çuditur nga ky propozim i Sokolit.
- Atë tabelën me emrin e Hasan Prishtinës do ta vendosim
në vendin e vet, ndërsa këtë farë "Naçertanien"
do ta hedhim në kosh - iu përgjigj Sokoli me një zë
të vendosur.
- Mirë e ke, Sokol! Nuk duhet lejuar që pushtuesi ta përdhosë
emrin e udhëheqësit më të shquar të Lëvizjes
sonë Kombëtare, i cili luftoi me pendë e me pushkë
për çlirimin e të gjitha trojeve etnike - u pajtua Arbëri.
- E as ta serbizojë emrin e rrugës sonë - plotësoi
Sokoli.
Sapo shkuan ata punëtorët, dy shokët e morën tabelën
e mëparshme nga koshi, e çuan në shtëpi të
Arbërit dhe e pastruan mirë e mirë. Të nesërmen,
në rrugën ku banonin Arbëri e Sokoli, çdo gjë
ishte si më parë, vetëm se emri i Hasan Prishtinës
po shkëlqente nga bardhësia, sikur edhe veprat e tij atdhetare.
(Nëntor 1996)
KRENARIA
(fq.28)
Dy vogëlushe simpatike, Loreta e Shtrojera, jetojnë në
Gjermani, në një qytezë të bukur me gjelbërime
e drurë të shumtë. Prindërit e tyre u vendosën
atje para nëntë vjetësh. Nevoja i pati shtyrë të
marrin rrugën e kurbetit. Duhej të siguronin jetesë, se
pushtuesi serb i pati pushuar nga puna. Vetëm gjyshërit u patën
mbetur në Kosovë, të vetmuar e të përmalluar.
Një mall e një brengë e kishin për të gjithë,
por për mbesat malli përvëlonte. Po mbesat? E dini, vallë,
se ç'mall kishin gjyshërit për to?! Jo, ato ishin të
vogla të dinin se ç'është malli për një
të dashur. Vetëm kur gjyshërit u shkuan për vizitë,
pas nëntë vjet ndarjeje, ato e kuptuan se sa fort duhen gjyshër
e mbesa. Përfaqime e lot gëzimi. Çmallje për tërë
ata vjet përmallimi. Ishte ky një takim rinjohjesh se gjyshërit
ishin plakur dukshëm, ndërsa mbesat kishin lëshuar shtat.
Edhe shkollën e kishin nisur. Loreta vijonte klasën e tretë.
Shtrojera sapo e kishte nisur shkollën. Në mungesë të
shkollës në gjuhën shqipe, ato po mësonin në
gjuhën gjermane. Gjyshërit e dinin këtë që më
parë dhe mbesave u kishin sjellë abetare dhe ca libra të
tjerë e revista për fëmijë me vjersha e tregime.
- Gjysh, unë i di të gjitha shkronjat e gjuhës shqipe
- i tha Loreta me një krenari të papërmbajtur, në
atë çast kur gjyshi po ua jepte abetaren.
- Edhe unë i kam mësuar gati të gjitha shkronjat shqipe
- i tha Shtrojera, edhe ajo krenare sikur e motra.
- E kush jua ka mësuar shkronjat shqipe, kur ju mësoni në
gjuhën gjermane? - u interesua gjyshi.
- Pak babi e pak mami - folën të dyjat gati me një zë.
- Unë i di edhe disa vjersha në gjuhën shqipe - foli Loreta
prapë me një qëndrim krenarie.
- Edhe unë e di një vjershë për Kosovën - tha
Shtrojera me ngutje për të treguar se edhe ajo nuk mbetej prapa
motrës.
Që nga biseda e parë me mbesat, gjyshërit e kuptuan se
prindërit tek ato kishin ngjallur ndenja krenarie kombëtare
dhe atdhedashurie. Kjo e gëzoi shumë, sepse vazhdimisht kishin
jetuar me brengën që mbesat, duke mësuar në gjuhë
të huaj, do të mund ta lënin pasdore gjuhën amtare.
Ardhjen e gjyshërve nga Kosova, Loreta e Shtrojera e përjetuan
si një ngjarje të madhe. Për këtë u treguan shoqeve
dhe shokëve. U treguan edhe mësuesve. Pastaj, një ditë,
ato iu lutën gjyshërve që të vizitonin shkollën
e tyre. Gjyshërit ua plotësuan dëshirën. Një
mëngjes u nisën tok, të kapur dorë për dore.
Loreta me gjyshin e Shtrojera me gjyshen. Rrugës takuan shumë
shoqe e shokë. "Këta janë gjyshërit tanë
nga Kosova" - u thoshin atyre në gjuhën gjermane me një
krenari të papërmbajtur. Ato vasha dhe ata djem i përshëndetnin
me buzëqeshje këta mysafirë të rrallë. Edhe gjyshërit
ua kthenin përshëndetjet me buzëqeshje. Atë mëngjes
të bukur gjuha e përshëndetjeve ishin buzëqeshjet
e sinqerta.
- O, sa do të dëshiroja ta mësoja gjuhën shqipe -
tha Katarina, njëra nga shoqet e Loretës.
- Edhe unë do të doja ta mësoja shqipen. Babi im punon
në një shoqatë humanitare në Kosovë dhe verën
që vjen unë e mami do të shkojmë atje për ta
vizituar - tha Hajdi, një shoqe e Shtrojerës.
- Edhe ne, sapo të përfundojmë mësimin, do të
kthehemi në Kosovën e lirë. Atje do të vazhdojmë
shkollimin në gjuhën amtare. Nëse e vizitoni Kosovën,
ne do t'ju mirëpresim në shtëpinë e gjyshërve
në Prishtinë - u tha Loreta atyre shoqeve e shokëve. Pastaj
të gjitha ato që u thanë në gjuhën gjermane ua
përktheu gjyshërve.
- Ne do t'ju mirëpresim me përzemërsi si shoqe dhe shokë
të mbesave tona dhe si fëmijë të miqve tanë -
gjermanëve, të cilët na ndihmuan shumë për ta
çliruar Kosovën - folën gjyshërit gati përmenjëherë,
ndërsa Loreta këto fjalë i përktheu në gjuhën
amtare.
Kështu, duke biseduar, hap pas hapi, gjyshër e mbesa dhe ato
vasha e ata djem gjermanë, arritën në shkollë. Atje
gjyshërit u takuan edhe me mësueset e mbesave të tyre.
Pastaj së bashku e vizituan shkollën. Gjyshërve u la mbresa
rregulli dhe pastërtia e shkollës dhe e ambientit të saj.
Aty gjithçka shkëlqente nga pastërtia. Menduan se edhe
në Kosovë mund të krijohen ambiente të tilla shkollore
se, për rregull e pastërti, nuk duhen mjete të mëdha,
por vetëm një kulturë dhe qasje e përgjithshme për
të pasur ambiente të pastra dhe të shëndosha.
Ajo ditë, kur gjyshërit e përcollën për në
shkollë, Loretës e Shtrojerës do t'u mbetet në kujtesë
si një ngjarje e pashlyeshme. Të dyjat, atë ditë,
e ndienin veten krenare pse ishin shqiptare. O, po krenaria e stolisi
shqiptarin dhe e mbajti të pamposhtur gjatë shekujve.
(Shkurt 2000)
BENI DHE DHËMBI I QUMSHTIT
(fq.33)
Një ditë Beni e hetoi që po i lëkundej një dhëmb
prerës i nofullës së poshtme. U merakos shumë, se
u frikësua që mund t'i binte e të mbetej pa dhëmbë
sikur gjyshi. Dhe iu ankua s'ëmës gati duke qarë: - Mami,
po më lëkundet dhëmbi. Ja, ky këtu! Do të më
bjerë nga goja.
- Po ndihmo edhe ti pak me gjuhë, o Beni, që të të
bjerë më shpejt! - i tha e ëma duke buzëqeshur, e
gëzuar që të birit po i ndërroheshin me kohë
dhëmbët e qumështit.
- Si the, mami! T'i ndihmoj e ta nxjerrë?! - dhe Beni po çuditej
nga fjalët e s'ëmës, sepse ai kishte pritur që edhe
ajo të brengosej për dhëmbin që i lëkundej.
- Po, zemra e mamit. Ai është një dhëmb qumështi
dhe e ka kohën të bjerë. Pastaj në vend të tij
do të dalë një dhëmb i fortë si graniti dhe i
bardhë si gurëzit e lumit, - ia sqaroi e ëma punën
e dhëmbit që i lëkundej.
Pas fjalëve të s'ëmës, Beni gati se u bind që
duhej të hiqej ky dhëmb lazdran. Ama kur e shtyri pak me gjuhë,
ndjeu njëfarë dhembje të vogël. E shtyri edhe një
herë. Prapë ndjeu dhembje. Pastaj nuk e trazoi më.
Po një ditë, gjersa po drekonte, Beni gati sa s'e përbiu
dhëmbin që i lëkundej. I gëzuar që e hoqi qafet,
bërtiti: - Mami, mami! Më ra ai dhëmbi i qumështit.
Ja, shikoje! - dhe ia afroi s'ëmës për ta parë.
- E po mirë që të ra, o Beni im, se duhej sa më parë
t'ia lëshonte vendin dhëmbit të ri. Se, po të mos
ia lëshonte, ai i riu do të dilte stërdhëmb (dhëmb
katarosh), - i tha e ëma, e gëzuar si i biri.
Pas një kohe Benit, i ranë një nga një edhe dhëmbët
e tjerë të qumështit. Dhe nuk brengosej fare. Madje, sapo
e hetonte që po i lëkundej ndonjëri, ai menjëherë
e shtynte me gjuhë që t'i binte sa më shpejt. Tanimë
e dinte që në vend të tyre do t'i dilnin dhëmbë
të rinj, bardhoshë e bukuroshë, sikur ai i pari. Vetëm
se Beni do t'i pastrojë me rregull dhe ata do ta ruajnë bardhësinë
dhe do t'i qëndrojnë derisa të plaket e të bëhet
sikur gjyshi. "Dhëmbët e shëndoshë në trup
të shëndoshë", thotë një fjalë popullore.
TRINGECI MOSMIRËNJOHËS
(fq.54)
Një tringec i lindur dhe i rritur në pyll, sapo erdhi pranvera
u zdorgj e ra në fushë. Atje, në pyll, nuk i kishte mbetur
vend. Ishte grindur gati me të gjithë zogjtë e tjerë,
të cilët jetonin në harmoni të plotë. Andaj,
të gjithë e quanin Tringec Grindaveci, e kështu do ta quajmë
edhe ne. Për vendbanim të ri zgjodhi kopshtin e bukur të
Benit, ku kishte pemë të llojllojshme. Folenë e ndërtoi
në degët e shpeshta të një arre të madhe. Çfarë
konstrasti! Tringeci i vogël, sa pëlqyeri, ndërsa arra
e madhe, alamet arre. Ama pallatin e ndërtoi për bukuri, si
ndonjë mjeshtër i rrallë.
Merre si ta marrësh, Tringeci ishte i kënaqur që e la
pyllin dhe u vendos në një ambient të bukur, ku kishte
ushqime të bollshme. Kandrrat dhe larvat e tyre që i gjente
me bollëk në degët e pemëve, i hante me lezet. Andaj,
fluturonte prej një peme në tjetrën, prej një dege
në tjetrën, pa zënë vend. Kur ngopej së ngrëni,
niste e këndonte këngët më të bukura që
dinte. Kishte zë të bukur, andaj zogjtë e tjerë e
pranuan në korin e tyre "Harmonia" pa audicion. Edhe Beni
ishte i kënaqur që kopshtit të tij iu shtua edhe një
banor i dobishëm e këngëtar.
Kjo idilë e Tringec Grindavecit në kopshtin e Benit zgjati
derisa erdhi vjeshta. Por, kur u poqën kokrrat e arrave, ai e tregoi
fytyrën e vet të vërtetë. Ua nisi sherreve dhe grindjeve
me zogjtë e tjerë. Nuk e lejonte askënd t'i afrohej arrës,
ku e kishte folenë; sikur arra të ishte vetëm pronë
e tij. Vërtet aroma e thelbave të kokrrave të arrave i
joshte të gjithë, ama Tringec Grindavecit i lëshonte goja
lëng. Do t'i kishte ngrënë të tërat, po të
mundej. Madje, as Benit nuk do t'ia lënte një për be. Por,
arra kishte shumë, ndërsa Tringeci i vogël. Pastaj ato
gëzhojat e tyre të forta s'kishte se si t'i shponte për
t'ua nxjerrë thelbat e shijshëm. Kur, një ditë, provoi
ta shponte njërën nga to, për pak sa s'e theu atë
sqepin e vogël e të butë.
Tringec Grindaveci ditë e natë mendonte e çmendonte
se si do t'ua bënte çarenë këtyre arrave gëzhojëforta
dhe thelpinjve të shijshëm të tyre, por nuk po gjente zgjidhje.
Pastaj, një ditë, seç iu kujtua Qukapik Turjela, miku
i vetëm i pyllit me atë sqepin e tij të gjatë e të
fortë si turjelë zdrukthëtari. Dhe, pa një pa dy,
një mëngjesi, pa feksur drita, i trokiti në derë.
- Ç'e mirë të shtyri kaq herët të më
trokasësh në derë, O Tringec miku! Mos ke ndonjë hall?
- E pyeti Qukapiku e pastaj u përqafuan si miq të vjetër.
- Jo, o i adhuruari im! Nuk kam kurrfarë halli. Vetëm erdha
të të ftoj në gosti. E di që t'i kënda arrat
e, në kopshtin ku banoj, ka me bollëk - i tha Tringeci duke
i bërë lajka.
Vërtet edhe Qukapik Turjela i donte shumë arrat dhe, pa u hamendur,
i tha: Më prit se do të vij, por pasi t'i kryej disa punë.
Tringeci, i gëzuar sa s'ka, u kthye në folenë e tij. Pastaj
nuk vonoi shumë dhe Qukapiku, pasi e mprehu turjelën në
një dru ahu dhe e provoi në kanatin e dritarës së
Xha Tahirit, fluturimthi, si shigjetë, trokiti në derën
e mikut të tij.
- Urdhëro, zoti Qukapik e hyn brenda! - i tha Tringeci i gëzuar
kur e pa.
- Nuk më nxë shtëpia jote, o Tringec miku, por më
gostit me ato arrat tuaja - i tha pa një pa dy Qukapiku.
Tringeci u zu ngushtë. Në shtëpi nuk e kishte asnjë
thelb arre. Por, pa humbur kohë, pak i skuqur, i ra shkurt: - Urdhëro
e merr sa të duash nëpër degët e arrës. Ti do
t'i shposh me atë sqepin tënd të fortë e unë
do t'ua nxjerr thelbat. Do të hamë derisa të ngopemi -
tha Tringeci dhe po priste me ndruajtje se si do të reagonte mysafiri
i tij.
Qukapiku, si grykës që ishte, i pëlqeu propozimi i Tringecit
dhe, pa humbur kohë, ia nisi punës. Çcak, çak,
çak i mëshonte gëzhojës së arrës deri
sa s'e shponte. Pastaj Tringeci, me atë sqepin e vogël si lugë
çaji, i nxirrte thelbat, madje edhe prej kthinave më të
skajshme të gëzhojës së arrave. Kur u ngopën
së ngrëni, Qukapiku e falënderoi mikun e tij për gosti
arrash dhe u kthye i kënaqur në pyll.
- Të më vijsh edhe nesër dhe për çdo ditë,
derisa t'i hamë të gjitha arrat - i tha Tringeci mikut të
tij, në çastin kur Qukapiku po ia lënte lamtumirën.
Edhe të nesërmen, si dhe shumë ditë të tjera,
Tringec Grindaveci dhe Qukapik Turjela u ngopën me thelpinj arrash.
Dhe do t'i kishin ngrënë të tërat, po të mos
i kishte hetuar Beni, i cili u hidhërua mjaft kur pa se shumë
kokrrave u kishte mbetur vetëm gëzhoja e zbrazur. Për ta
ndërprerë këtë piratëri, Benit iu kujtua një
truk. Në disa gëzhoja të shpuara vendosi nga një guralec,
pastaj ato i maskoi të dukeshin si kokrra të pashpuara. Dhe,
këtu, Qukapikut i hasi sharra në gozhdë. Kur një ditë
deshi ta shponte një kokërr të tillë të maskuar,
guraleci i fortë që gjendej në të, ia theu atë
sqepin si turjela.
- Au, ç'më gjeti! - bërtiti Qukapiku nga dhembja dhe
iku i përgjakur nga pylli, madje as pa i lënë lamtumirën
mikut të tij. Pas tij, pa një pa dy, iku edhe Tringeci i turpëruar
që e kishte keqpërdorur mikpritjen e Benit dhe të zogjve
të kopshtit të tij.
|