LISI NË DERË TË KOVAÇIT
(Kushtuar popullit shqiptar në Ballkan)
Ty o lis që në derë të
kovaçit ke qëllue,
O Ti i shumë shekujve dëshmitar,
Kush asht çue ma herët sakicë të ka mshue.
Ke qenë kah mbaron o lis legjendar!
Tue hy e tue dalë Ty të ranë
sëpatë,
O, edhe sod shejat n'trup i ke ispatë!
Si sakicat mizore me të qit fare
Dhe errësina t'asht kërcnue,
Prej reve të denduna si batare
Shpesh rrufeja t'u ka gjue.
Shumherë trupin ta ka vra,
Deg't e njoma t'i ka tha!
Por tash trupi t'u ka trash;
Me mish të ri varrët t'janë mbulue,
Me sy të mij unë vet të pash
Me lang tand tue i shërue.
N'katër'anët degët t'janë
zgjanue
Ku nji t'u thue - dhjetë janë rendue!
Edhe moti tash mirë asht kthjellë;
Vranësitë e zeza janë largue.
Horizonte të gjana t'u kanë çelë,
Hovshëm dielli rrezët t'i ka lëshue.
O ngrihe ballin tash nalt nën re
Se edhe për Ty lindi jetë e re!
S'ka sakicë trupit tand ma që
ia le
- Le të ndryshkën të gjithë ziliqarët!
S'ka me ngja ma çka ngjau dje
Çka asht nisë para ma nuk ndalet!
Hej! Vet je krijues i fatit tand,
Sakicë e ndryshkun ma s'ka çka të ban!
Tahir Z.Berisha
Vërban, 1954
TY, O VREMÇ
BUJAR
(Shkruar me rastin e një fushate
për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi)
Kur u linda, në muajt e parë,
Prej të gjithë shpendëve tjerë,
Ty të kam parë, o vremç bujar,
Në këtë vend banues përherë!
Kohë e gjatë ka kaluar
Me mot të lig e me stuhi,
Por Ti kurrë s'je larguar,
Ke pasur çerdhën n'këtë shtëpi!
Prej dimrit të ftoftë as lagështisë,
Asnjëherë Ti s'je frikësuar,
Ke ndreq'strofullin n'strehë t'shtëpisë,
Ditë më të mira ke ëndërruar.
Ndërsa zogjtë e tjerë pa
ia ndarë,
Për çdo vjet kanë shtegtuar,
Të mirë e të keq me ne ke ndarë,
Prandaj, Ty me zemër të dua!
"Xhav-xhiv"-i yt më i ëmbël
Se vajtim i ndonjë bilbili,
Që fsheh dorën kur hedh gurin,
I strukur mirë në skaj pylli!
- Ti je shembull për shumëkend,
Për dashuri ndaj vendlindjes,
Që përballon çdo send
Për t'mos lënë folenë e prindjes!
Këtu, ku së pari pamë qiellin,
Të mira - të këqija do t'i presim,
Këtu më këndshëm na ngroh dielli,
Këtu të qetë, pra dhe të vdesim!
Tahir Z.Berisha
Vërban, 1954
ELEGJI
(Një të resë së vyshkur para kohe)
Që tri vjeshta që kaluan
dhe e katërta tash po shkon,
Bari e pema mugulluan
- Trupi yt n'dhe po pushon.
Më s'të gjej, të lypi
kot
Prandaj derdhi gjak e lot!
Qe tri vjet po lulëzon dardha
Nën të cilën shpeshherë rrijshim,
O, ato ditë kanë qenë fatbardha
Halle të jetës kurrfar' nuk kishim.
Ato ditë me gjë s'shpërblehen,
Me Ty humbën kurrë më s'kthehen!
Çdo mbrëmje rrijshim te e vona,
Ndërsa hëna na shndritte;
Thoshe bota është e jona
E fjalë t'ëmbla pëshpëritje.
Edhe bilbili këndonte i gëzuar
Kur na shihte të përqafuar.
Nën lis të mllakës varri
të gjindet,
Me gjethe të thata i mbuluar e bari
Si të të fsheh mos të shohin prindët,
Kur të kalojnë prapë atypari.
Edhe këtu bilbili shpesh t'shoqëron.
Por tash vaj bën dhe më s'këndon.
Tahir Z. Berisha
Shkup, 1955
PSE E ÇMOJ TIM ET?
(Me rastin e 56-vjetorit të vrasjes së Zeqë Vërbanit)
Unë e çmoj shumë tim et,
Se kur isha fëmi në djep,
Të më lidhin s'lejoi kurrë,
Duarlirë u rrita, u bëra burrë!
Në odë hyja pa ndalesa,
Me burra rrija pa pengesa,
Këshillat e tij i dëgjova,
Historinë n'odë e mësova.
Kur për shqiptarë shkolla s'kishte,
Ai dëshirë të flaktë për to kishte.
Tha: "Pa shkolla s'bën të jemi,
Shkollat shqipe do t'i kemi!"
Kur "me sy e pashë vdekjen"
Me trup të vet ma shpëtoi jetën
E kujtoj, pra, sa të jet jeta
Por, ndoshta, ende borxh i mbeta?
Tahir Z.Berisha
Londër, shtator 1999
DIALOGU BABË E BIR
(Porosia në Griniç të Anglisë)
- Pushtuesi, babë, na ndau
Prej atdheut na përzu' shkau!
Por, pa pritë, e pa kujtuar
Në Angli jemi bashkuar.
- Po, në Griniç u takuam,
Në Meridian u fotografuam.
Ti në "Lindje", unë në "Perëndim"
Që do të na mbetet si kujtim.
Gjatë jetuam në robëri,
U flijuam shumë për liri,
Që lirinë ju ta gëzoni,
Idealet në vend t'i çoni!
Unë u plaka, bir, e ti po rritesh,
Timen e kreva, prej teje pritet:
Që ku unë mbeta, të vazhdosh,
Çka lash mangu, ta plotësosh!
Tahir Z. Berisha
Londër, qershor 1999
Për shqipëtarët historia po përsëritet.
Ata edhe sot janë të persekutuar, të përndjekur dhe
të shpërngulur në mbarë botën.
Por, kudo që janë, ata mendojnë edhe luftojnë për
atdheun dhe vendlindjen e tyre,
për Shqipërinë dhe Kosovën martire.
NËNË E BIJË
Në çdo vend, e në çdo
anë
Çdo shqiptar e ka një nënë
Nëna jonë është Shqipëria
E Kosova është e bija.
Bijt' e shqipes kudo janë
Japin jetën për një nënë
Për një nënë e për një bijë
Për Kosovë e për Shqipëri.
Për Kosovën po luftojmë
Ja të vdesim ja të rrojmë.
Nuk durohet më robëria!
Me ne janë Amerika e Anglia.
Le ta dijë bota mbarë
Për liri luftojmë të pandarë!
Se liria kurrë nuk falet
Rrëke gjaku rrjedh, nuk ndalet!
Të bashkuara nënë e bijë
S'ka çka u bënë asnjë Serbi.
S'rron Kosova më në robëri
Pa Kosovën nuk ka Shqipëri!
Tahir Z.Berisha
Glasgou, 12 korrik 1999
PSE U ZUNË ABA HASË DHE HALLA RABË?
Për domazllëkun e mirë të pulave
që mbante, hallën Rabë e njihte jo vetëm katundi ynë,
por edhe katundet tjera rreth e përqark. Gjithmonë oborri i
saj vlonte prej gjithfarë pulash. Sidomos gjelat e saj si këngëtarë,
e besa edhe si azgana, ishin në zë. Vetëm një vjet
dergja gati ia pat çfarosë të gjitha pulat edhe pse s'pat
lënë gjë pa bërë duke filluar prej gurkalit,
shkrirjes së plumbit dhe provave tjera që dinte ajo vetë
e deri te hajmalia e Mulla Abazit. Madje edhe gjelin plak që i pat
mbushë gati katër vjet dhe s'bënte më ta mbante (sepse
thonë pas kësaj moshe ai gjithnjë lutet: "ishalla
më unë po mbetem zot shtëpie") nuk e preu si zakonisht,
por e çoi deri në teqe të Kaçanikut, kinse për
shëndetin e pulave tjera, e sevapin e shpirtit të vet, por si
duket kishte qenë vetëm për kismetin e rojtarit të
teqes.
Kur pulat tjera në katund patën marrë injeksione, kjo nuk
pranoi t'u japë të vetave, duke u frikësuar se po u prishen
vezët. Mandej edhe "aty ku insani mundohet me nreq shka zoti,
i kofshim falë, ka lënë eksik - aty bereqet s'ka!"
- arsyetohej halla Rabë. "Unë dajm i kam majt pa inekcia
po kush i ka pasë pulat si të miat?" Mirëpo, për
çudi, të gjitha ato pula që morën injeksione shpëtuan,
kurse hallës Rabë, atje tek qoftë, i cofën të
gjitha, përveç një zogut pandlaveç dhe dy pulave
më të këqija - njëra e zezë si futa me bisht
të gjatë e me një krye si hudër, e tjetra një
qafëcullake ngjyrë hiri. Për këtë fatkeqësi
të pulave të saja halla Rabë i ankohej secilit që
bisedonte me të:
- Përze' moj loçkë, shka m'u kanë dhimtë këto
pula, veç shkoftë dhimta me to se kurr s'muj me i harrue!
S'janë kanë shkado pula, po si gusa; kur i prejsha e qitshin
ka gjys kile vjam sari si dylli, krejt polena-polena. Anima shka o konë
knusi!
Kur knojke ky për zdyti, dije si me sahat dhe serbez
kalle zjarmin ja qite tëpinin se fërku i sabahit s'asht larg
At za si kavall e zgatke, bre, gjys sahati! E tash pa te po më doket
se edhe oborri asht shëmtue, ka m'et shkret. Zaten, kanë thanë
të moçmit: zoti mos e lasht kan pa knues e qen në shpi
Knuesi asht sahati i shpis dhe, këtyne hereve, nër fise u pagujke
gjys gjaki ja njizet e pesë lira
Le të knuemën, po
shka e konë rojs se! - Ni vremç me ba prrr n'oborr, veç
t'ja u dhake shejin pulave: krraaa, krraaa - , e ato të tana u strukshin
sa çil e mshil syt. Se ma pse guxojke me hy knues i kojshis n'oborr,
ban be e mos u tutë hiç!
U pat halit vjet knusi i Hafizit
dhe vijke kaniherë nëpër ni birë që e patën
ba qent në gardh. Hini ni herë dhe frik e frik duel pa e diktue
ky. Zdyti t'ja kish zan shtekin ky babushi dhe s'ka vanue çerek
sahati e lau në gjak. Unë, edhe, jam turrë me i da tue
kap për kame të huejin, kur e pash i jemi ja qorroi njanin sy
si mos me kon!
"
Hallës Rabë edhe sot i kujtohet se si kjo zënie e gjelave
u pat bë shkak që t'i prish marrëdhëniet me Hasën,
të shoqen e Hafizit. Të nesërit ia pat mbërri Hasa
e zbehtë në fytyrë dhe duke u dridhur si e kishte zakon
t'ia pat nisur: "e zoti ju marroftë, e ju s'kishi pasë
kurrnji fe, pse m'e m'ajt knusin e huej" -, e të muar e ta bëri
hallën Rabë për një pare. Kjo në fillim u përpoq
të mbrohet duke thënë se sigurisht Zadja e ka shpif pse
ia ka inati, derisa më në fund shpërtheu:
"E po de, ban në paç shka me ba se boll mirë ja
ka ba! Shka ka lyp me hy n'oborr të huej e me prek në pula të
hueja?
A haram i koftë që s'ja ka nxjerr edhe qetrin sy.
Po kjo
gruja koka pi ku s'duhet!
"
"Jo, moj bijë, e ke majt për kame se as glacën sun
ja ha knusit tem me u ba i yti edhe ni herë sa asht" - t'ia
krisi Hasa.
"O qyqajka e natës! Ani, mue m'erdh gjynah e dashta me e da
atë skremç se ky birazeli ke tu' ja nxjerr shpirtin n'dakik"
- arsyetohej halla Rabë.
"Jo, unë mishin e thivit e haksha që veç mos ardht
Hafizi prej pazarit, nashta ishalla atje nuk jet, se pa i thanë le
ta shti Irfanin në koçak e me ja thye ni kamë knusit
juv - s'e kam lanë!"
"Ani de, ani. Ti veç shtin sa t'mujsh se, zatën, ju farën
e keni të flliqtë dhe loza e juve kurr s'ka pshtue pa gjak e
pa bela. Veç ta dijsh se bât e ma prekt knusin, ju ka prek
e liga në rrajë të veshit! Ni shibël me m'i ra, ju
ma këtu ven s'kini!
"
"Edhe unë po të thamë, mos kofsha Raba e Ali Asmanit
që s'shkova ni ditë në hyqmet te aj ma i madhi dhe me i
thanë le t'ma ban ni çare! Hak s'ju kam, beli, po m'keni gjet
grue të shkretë, pa mashkull të rritun në shpi, e
marre me ju ardh s'po ju vjen dhe, për kurrgjasen po më kceni
në qafë
" - Këtu si ta kishte prekur hithi halla
Rabë u nxe edhe më tepër.
"Ti kujton se kam harrue shka pat ba vjet Hafiz zeza, burri plak,
zoti ja marroftë ftyrën! Veç pse pat shkel përlaku
n'arë, desh e këputi çykë shati e më tha shka
i erdh në gojë."
Mbasi heshti pak thuase e pa të shkruar dikund në Kanunin e
Lekës, me një zë autoritativ, vazhdoi:
"Me pas dal, bijo, knusi jem n'oborr t'an - atëherë pasha
shoqen, ke pasë të drejtë, derdiku, me folë se mbasi
aj ka hy n'oborr tem, edhe me pasë lanë në ven' s'ka pasë
me i dhan hesap kujt
Secili munohet për erz e namuz të
vet. E ky pse asht shpen - halla Rabë për pak qe duke thënë
se edhe ky, gjeli i saj, ka erz e namuz, por ia rrotulloi shpejt - edhe
ky ka shpi e oborr të vetin!"
Pas kësaj ngjarjeje shkoi gati një vjet e s'patën folë
as hy e dalë ndërmjetveti
Hasa gjithkujt i pat treguar
se halla Rabë ia ka vërbuar gjelit të saj syrin për
inati sepse ishte më i fortë se gjeli i vet. Edhe kjo në
kohët e fundit e pat mbush tërë botën duke thënë
se Hasa i ka bërë magji dhe ia ka qit fare pulat. Kështu
i kishte treguar edhe falli edhe Zadja, megjithëse gjithmonë
shkonte keq me te. Kjo, gjoja e kishte pa me sy të vet Hasën
natën e Shëngjergjit duke ndenjur cipricullak para derës
së hallës Rabë me një shul në dorë. Madje
edhe e kishte dëgjuar me veshët e vet duke thënë:
"Këtu drejt mos baft qen ham, ham, as knus kikiriku!" dhe
i kishte ra shulit për toke duke përcjellë me fjalë:"Hyp
bereqet!" e kur ka arritur para derës së vet, ta merr mendja:
"Zhdryp bereqet!"
Hallës Rabë s'ia bënte aq dhembja e pulave sa inati i Hasës.
Prandaj po të kishte kush të dëgjonte ajo s'pushonte gjithë
ditën e lume duke rrëzuar gurë në Hasën. Disa
që s'kishin durim ta dëgjonin përpiqeshin t'ia ndërprejnë
bisedën me fjalë:
- T'i paçin marrë të ligat, oj Rabë! Ishalla je
vetë shnosh se malli shkon e vjen.
Vetëm kur vinte Aba Melë e heqte dryshkun, sepse edhe ajo, e
ngrata, kishte hallet e veta rreth mësyshit. Asaj s'i vinte mërzi
ta dëgjonte e aq më pak pritonte të flasë edhe vetë.
Kështu, pra, sa pushonte pak halla Rabë sa për të
marrë frymë, ia fillonte Aba Melë:
- Po, moj motër, edhe neve na plasi bullica prej mësyshit
Na qilloi dyqani i kooperativës ngat e sa herë që kapërcejke
bullica atypari, hallki t'i hapshin sytë kapuç: njani: "Ajt,
mashalla, bullica e Jasharit!" tjetri: "Av, kqyrja gjitë
si koshi!" e hallki, moj motra jeme, qeshit sy dhe na e shituen bullicën,
he ishalla jarabi kurr s'u shohin hajr të vetave
Edhe i pata
thanë ni kopilit që e rujke: Mos, nano, kur t'i pashë që
janë mledh kallaballëk para dyqanit mos e bjer bullicën.
E aj thuese i thojsha: Kqyr e rueje kallaballëkun ma të madh
dhe qitjau bullicën përpara!
S'e di se qysh veç
neve naj thajtën kashorën e gojës; qe tre muj s'kemi pa
lugë të bardhë në shpi tonë. Me ble gja ni herë
s'kemi kudret
Na ra si frik, moj motër, darsma e Xhaferit dhe
na ka këput në rruzë, jemi harxhue bajagi shumë
- Veç shnosh ishalla, veç shnosh - përsëri e merrte
fjalën me mjeshtri halla Rabë dhe vazhdonte bisedën e saj
rreth pulave dhe ngatrresës me Hasën për punë gjelash.
Tahir Z. Berisha
Prishtinë, 1948
SHTËPIA E VJETËR E VENDLINDJES
Në moshë shumë të re u largova
nga vendlindja (Vërbani) dhe kohën më të madhe e kalova
larg saj. Por, gjithmonë me mend dhe me shpirt jetova në të,
prore e mbajta në kujtesë dhe e ndjeva në zemër. Edhe
pse shpeshherë u ktheva në çerdhën e vjetër,
kurrë nuk u ngopa me vendlindje dhe vazhdimisht mbeta i uritur dhe
i mallëngjyer sa herë që u largova nga ajo.
Me kohë ndryshoi çdo gjë si në botë, ashtu
edhe në vendlindjen time. Vdiqën shumë të njohur të
vjetër, e u lindën pasardhësit e tyre; u ndërtuan
shumë objekte të reja e u shkatërruan ato të vjetrat.
Mirëpo, në kujtesën time mbetën gjithmonë të
kthjellta, të pastra dhe të pashlyeshme dy pamje, dy piktura:
shtëpia jonë e vjetër në fshat dhe ajo e Dajës
Xhelë në Goshicë. Ka kaluar shumë kohë që
ato më nuk ekzistojnë, por, megjithatë, unë edhe sot,
sa herë që i mbyll sytë, i shoh, madje edhe në ëndërr
(për çudi këto të rejat që janë shumë
më të mëdha e më të bukura, asnjëherë
nuk i kam parë në ëndërr). Tabloja më e shpeshtë
që më del para syve është shtëpia e vjetër
e fëmijërisë sime të hershme e pandryshuar fare e
në të, pikërisht oda e burrave me oxhakun e hapur dhe zjarrin
gjithmonë të ndezur, kurse aty pranë dhe babai në
pozën e zakonshme me çibuk në gojë e mashën
në dorë duke e shprushur zjarrin. Po ashtu edhe në shtëpinë
e vogël dhe modeste të dajave, në ëndërr asnjëherë
nuk i pashë kthinat e tjera, por vetëm shtëpinë e
zjarrit, ku gatuhej buka dhe ku, pranë oxhakut të madh të
zi futë nga tymi, gjithmonë vlonte vegshi i fasulës ose
gjygymi i çajit. Aty, ishte domosdo edhe shkambi trikëmbësh,
në të cilin isha ulur sa e sa herë.
Ëndërr ose zgjuar, edhe sot e kësaj dite, aty i shoh qartë
të gjitha sendet e orenditë, duke filluar prej magjes së
vjetër që kurrë nuk u gjend e zbrazët (sepse sa herë
që shkoja atje, gruaja e dajës e çilte dhe prej saj nxirrte
copën e bukës kollomboqe me djathë, rrethin e lakrorit
me hitha, e ndandonjëherë edhe kaçikun e pulës apo
ndonjë vezë) e deri te saçi, çerepi e sendet e
tjera të shtëpisë. Nuk e di pse, por këto pamje, këto
fotografi nga vendlindja mu kanë ngulitur thellë në kujtesë
dhe shpesh më përsëriten me të gjitha hollësitë,
edhe pse ka kohë që ato më nuk ekzistojnë sikurse
edhe as shumë të dashur që dikur jetuan atje.
Tahir Z.Berisha
Prishtinë, 1990
KONTRASTE JETE
(Tri ngjarje - tri përjetime)
Në prag të ndërrimit të motmoteve
në Prishtinë ndodhen tri ngjarje, të cilat më shtynë
të meditoj për fatet e ndryshme të njerëzve. Me këtë
rast m'u kujtua konstatimi i një mendimtari se fëmijëve
që në start u bëhet një padrejtësi e madhe pasi
që nuk kanë mundësi të konkurrojnë e as të
zgjedhin kohën, vendin dhe familjen (prindërit) se ku do të
linden. Por, edhe pasi të linden e të rriten, pason padrejtësia
tjetër, sepse nuk mund ta dijnë fatin e fundit as kur, ku dhe
si do të vdesin.
Ngjarja e parë ndodhi me një foshnje
(vajzë) katër-muajshe, të cilën dikush i panjohur
e la në korridoret e Dispanzerit të Fëmijëve në
Shtëpinë e Shëndetit në Ferizaj. Pas vajit të
pandërprerë kur u alarmua i tërë personeli medicinal,
u konstatua se kjo qenie njerëzore e pambrojtur dhe ende e paaftë
për jetë të pavarur, nuk ishte harruar rastësisht,
por ishte lënë me qëllim. Prandaj, pasi arritën disi
ta qetësojnë, e besa edhe ta ushqejnë, u morën vesh
që ta vendosin në Strehimorën e Fëmijëve Bonjakë
në Mitrovicë.
Ngjarja e dytë, të njëjtën
ditë, ndodhi në Prishtinë. Atë ditë papritmas,
vdiq nëna e tre vëllezërve (Aba Elmaze) në moshën
87 vjeçare. Si fqinj i tyre i parë, që nga fillimi mora
pjesë në pikëllimin dhe dhembjen e tyre. Më erdhi
mirë kur pashë se vëllezërit u interesuan se a kishte
shprehë e ndjera ndonjë dëshirë lidhur me vendin dhe
mënyrën e varrimit. U tha se e vetmja dëshirë e saj
e fundit kishte qenë që të lëshohet në dhe me
gjithë tabutin, e jo vetëm me qefin. Pa humb kohë u porosit
dhe u soll tabuti i ri. Përcjellja në rrugën e fundit ishte
masive. Porsa arriti kortezhi i gjatë në varrezat e qytetit
u pa se atë ditë kishte vdekur edhe dikush tjetër, sepse
njëri afër tjetrit qëndronin dy varre të hapura. Derisa
në njërin u lëshua e ndjera së bashku me tabut, varri
tjetër qëndronte i hapur pa askënd aty afër. Kah fundi
i ceremonialit të varrimit u duk automjeti komunal, që i barte
kufomat. Në atë çast u ngritën në këmbë
edhe tre persona që deri atëherë qëndronin skaj varrezave.
Njëri prej tyre i dha shoferit shenjë me dorë që të
vinte aty afër. U kthyem që të gjithë në drejtim
të automjetit. Nga automjeti doli vetëm shoferi, i cili u ndihmoi
tre varrmihësve që me anë të litarëve ta lëshojnë
arkivolin në varr. Për një çast të gjithë
u shtangëm nga habia pasi që nuk pamë asnjë të
afërm as përcjellje tjetër të të ndjerit ose
të të ndjerës. Nga kurreshtja iu afrova njërit prej
tyre dhe e pyeta kush ka vdekur. Që të tre u përgjigjën
gati përnjëherë: Nuk e dimë as kush është
as çka është (mashkull apo femër). E dimë vetëm
se varrin e ka porositur Shtëpia e Pleqëve në Prishtinë,
e ajo duhet të na paguajë. Pas një heshtjeje të shkurtër
më së miri u gjend hoxha (Sejdi Simnica), i cili iu lut "xhematit
që janë me avdes që t'ia falin xhenazen" këtij
të panjohuri, e ashtu edhe u veprua. Duke u kthyer nga varrezat shumica
filluan të komentojnë dhe të pyetën mes veti: si është
e mundur që i(e) ndjeri(a) mos të ketë pasë asnjë
kusheri ose të afërm tjetër për ta përcjellë
në rrugën e tij të fundit?
Përcjellja e denjë e "nënës
së tre vëllezërve" dhe fati tragjik i dhembshëm
i dy qenieve tjera njerëzore (njëra në fillim të jetës,
e tjetra në mbarimin e saj), të shtyjnë, pra, të mendosh
për kontrastet e jetës, ndërgjegjen, përgjegjësinë
dhe moralin e njerëzve në përgjithësi. Posaçërisht
është prekës rasti i vajzës së vogël që
u braktisë dhe u la në lokalet e Shtëpisë së
Shëndetit. A thua çfarë do të jeti fati i saj i
ardhshëm? Ishalla nuk e përjeton fatin e të panjohurit
që u varros në prag të vitit të ri, ku e solli dhe
e përcolli në udhëtimin e fundit vetëm një njeri
- shoferi zyrtar!
Tahir Z. Berisha
Prishtinë, 4 shkurt 1990
LEJLEKU DHE VREMÇI
Nuk kishte kaluar shumë kohë qyshse kishin
filluar të kthehen shpendët shtegtarë nga viset e ngrohta.
Ndër të parët kishte ardhur edhe Lejlek Ajeti i cili për
çdo vit detyrohej ta ndërtonte çerdhen e rrënuar.
Edhe kësaj radhe e gjeti krejtësisht të shkatërruar.
Prandaj i dëshpëruar fare, nuk shkoi në Kënetën
e Gilbushit të pasur me bretkosa dhe gjallesa të tjera, por
i zhgënjyer dhe i brengosur u drejtua kah Zabeli i Beqir Sadovinës.
U rras në te dhe filloi ta sjellë kokën djathtas-majtas
duke shikuar me kujdes kurorat e lisave. Shihej se kërkonte diçka.
Kjo më së pari i ra në sy kukuvajkës që rrezitej
pa brenga para zgavrës së vet në lisin çufurrak.
Menjëherë e zgjati qafën kah lejleku dhe ia zgurdulloi
sytë e vet të mëdhenj me një zë të thekshëm:
- Krik-krek! Hej, ti! Çka kërkon këndej pari?
Lejleku njëherë u shtang, por shpejt erdhi në veti, dhe
iu përgjigj me gjakftohtësi: - Kërkoj një dru të
përshtatshëm dydegësh. Kukuvajka tani me zë më
të butë dhe me kurreshtje e pyeti përsëri:
- Ç'të nevojitet druri dydegësh?!
Ti e ke strofullin
tënd.
- E kam pasur, por nuk e kam më, prandaj dhe m'u ka mërzitur
jeta dhe dua të varë vetën
Kjo s'është
jetë lejleku, kur për çdo vjet, pas udhëtimit të
gjatë dhe të mundimshëm detyrohem që ta ndërtoj
përsëri çerdhen - i tha lejleku dhe iu duk se e hoqi
një pjesë të barrës nga shpirti pasi që gjeti
dikend për t'ia qarë hallin që e kishte kapluar. Kukuvajkës
duke e sjellë kokën e rrumbullakët, gati iu dhembs lejleku
i ngratë dhe tash krejtësisht miqësisht iu drejtua:
- Përse ngutesh, or jahu?
Përse nuk bisedon edhe me ndokënd
tjetër që e ka zgjidhur këtë problem dhe nuk është
i detyruar që të udhëtojë për çdo vjet
e kur të vijë ta gjejë çerdhën e prishur, por
rri aty dhe e ruan e lufton për te. Ja, bie fjala, Vremç Trumcaku.
Ai asnjëherë nuk udhëton në viset e largëta dhe
kurrë nuk i shkon mendja që të bëjë vetëvrasje.
Lejlek Ajeti u mendua pak dhe e pyeti:
- Po ku mund ta gjej atë fakir?
- Rreth shtëpive dhe hambarëve të njerëzve atë
e gjen verë e dimër.
Pa humbur kohë lejleku u gjet para derës së Vremç
Trumcakut dhe i ra rreth e përqark e pyeti:
- Allahile, a po më tregon lumë Vremçi si po mbetesh
gjallë gjatë vitit pa shkuar në viset e ngrohta?
- Shumë lehtë - iu përgjigj ky si në flakë të
pushkës - Gjatë pranverës dhe verës nuk ma ndien fare,
sepse ushqim gjek kudo. Kah vjeshta sillem rreth hambarëve me grurë,
kurse dimrit fare nuk largohem nga shtëpitë e njerëzve.
Atje gjithmonë gjej troha buke dhe hedhurina tjera. Nuk frikësohem
nga njerëzit, afrohem në dritaret e tyre dhe nëpër
ballkone. Përzihem edhe me pula kur zoti i shtëpisë këtyre
u qet për të ngrënë. Meqë me kohë jam miqësuar
sidomos me fëmijët, ndodh që ata vetë të më
ofrojnë ushqim - u përgjigj Vremçi.
- Mirëpo, ç'bënë ti kur fryn veriu dhe shtrëngon
acari? - pyeti Lejleku me kurreshtje.
- Unë, a? Futem nën strehë ose nën qeremide dhe i
gëzuar pres ditë më të mira.
Lejleku pasi e falënderoi ngrohtësisht dhe u përshëndet
me vremçin, i disponuar kërcej tri herë për toke
me këmbët e gjata derisa mori hov dhe ua dha krahëve në
drejtim të Kënetës së Gilbushit. Atje e kaloi gati
tërë verën. Vetëm gjumin e bënte në çerdhen,
që e kishte rregulluar përsëri mbi pullazin e plemës
së Xha Ibishit. Në vjeshtë derisa të gjithë lejlekët
tjerë masivisht përgaditeshin për udhëtimin e gjatë
dhe të mundimshëm për në viset e ngrohta, Lejlek Ajeti
nuk i jepte pesë para, sepse kishte vendosur që më mos
të shtegtojë. Kështu më në fund mbeti fillikat.
Mirëpo, kur moti filloi të ftohet më shumë, iu kujtuan
fjalët e Vremç Trumcakut dhe provoi të futet nën
një qeremide, por kurrsesi nuk ia doli që ta fusë sqepin
dhe këmbët e gjata. U bë nervoz dhe pa humbur kohë
shkoi e trokiti në derë të Vremç Trumcakut. Kur
doli zoti i shtëpisë ky iu drejtua:
- Ti më more në qafë!
Unë assesi nuk po mund
të futem nën qeremide! - i tha i brengosur lejleku.
- Unë ta kam dhënë idenë se si mund të shpëtosh,
kurse zgjidhjen teknike duhet ta gjesh vetë. Megjithatë të
kisha këshilluar që gjatë kohës kur bën ftohët
të futesh në pleme mbi kashtë, e jo mbi pullaz ku e ke
bërë çerdhen - e këshilloi vremçi. Të
nesërmen kur erdhi Xha Ibishi për të marrë pak kashtë
për t'u shtruar lopëve, u befasua këndshëm kur e pa
mysafirin e paftuar. Shumë shpejt u miqësuan. Dalëngadal
lejleku u mësua ta hajë ushqimin që ia përgatiti Xha
Ibishi dhe të përzihet e shoqërohet me bibat e tij. Ky
ndoshta qe rasti i vetëm që një lejlek mos të shtegtojë
për çdo vit.
Tahir Z. Berisha
Prishtinë, 1993
"SHKOJNË PAMPURAT
"
Çdo njeri që ka pasur "taksirat"
të largohet për një kohë më të gjatë
nga vendlindja, ka ndie mall dhe nostalgji për vendlindjen dhe njerëzit
e vet. Këtë më së miri e ka shprehur Faik Konica në
një shkrim të tij të shkurtër.
Për fat të keq, shqiptarët, gjatë tërë historisë
së tyre kanë qenë të detyruar që të përndjeken,
të shpërngulen me dhunë, të emigrojnë dhe ta
kalojnë jetën në kurbet si refugjatë dhe mërgimtarë
ekonomikë ose politikë. Disa prej tyre, madje edhe i kanë
lënë eshtrat përgjithmonë në dhe të huaj.
Prandaj, populli shqiptar shkaktarin e kurbetit si plagë të
rëndë, gjithmonë e ka mallkuar:
"Kush së pari bani,
more djalë, kurbetin
Mos ia dhashtë Allahu, jo kurrë selametin!"
Shpërnguljet e shpeshta dhe migrimet
masive ekonomike e politike, shqiptarëve ua kanë shkaktuar pushtuesit
e huaj, kushtet ekonomike dhe rrethanat shoqërore - politike në
vend.
Një fatkeqësi tjetër e rëndë, e cila në
të kaluarën ka lënë vragë të thella dhe
dhëmbje të mëdha në kujtesën e popullit shqiptar,
ka qenë edhe afati shumë i gjatë i shërbimit ushtarak
gjatë sundimit pesëshekullor osman në tokat shqiptare.
Pikërisht për këtë problem dhe këta "askerë"
do të bëjmë pak fjalë në këtë shënim.
Shërbimi ushtarak në ushtrinë osmane ka zgjatur edhe nga
7 - 12 vjet. Të rinjtë shqiptarë pa dëshirën
dhe vullnetin e tyre, kanë shërbyer e luftuar në vende
të ndryshme të botës për interesat e Perandorisë
Otomane. Shumë prej tyre janë vrarë ose kanë vdekur
nga sëmundjet e ndryshme dhe kurrë më nuk janë kthyer
në vendlindje.
Për shkak të qëndrimit të gjatë larg atdheut,
mungesës së kontakteve dhe informatave, për shumë
të rinj, me vjet nuk është ditur a janë ende gjallë
apo janë zhdukur.
Prandaj, ka ndodhur që kur janë kthyer pas disa vjetësh
nuk i kanë gjetur në shtëpi nuset e reja, të cilat
ndërkohë janë kthyer në familjet e veta ose sipas
zakonit të prapambetur, janë "kthyer" (martuar) për
ndonjë mashkull tjetër të familjes së burrit. Këtë
dukuri të shëmtuar dhe brengë të dhembshme e gjejmë
në vargjet e këngës popullore "Shkojnë pampurat
",
ku paraqitet gjendja e mjerueshme e "askerëve të mbretit":
"Shkojnë pampurat
bregut të detit,
Dil e kqyr, moj nanë, askerin e mbretit.
Asker i mbretit, asker i ngratë,
gjysa deshë, e gjysa dathë."
Këngëtari popullor anonim
i paraqet edhe preokupimet e shqetësimet shpirtërore të
ushtarëve të rinj:
"Shkojnë pampurat
tuj fishkllue,
Me askerë të mbretit janë ngarkue,
Do shkojnë tuj kajt, e do tuj k'nue."
Edhe në këtë gjendje pa kurrëfarë
rrugëdalje e perspektive, ata përpiqen që të bëjnë
diçka, duke shpresuar se do të bëhet farë ndryshimi
("dever tjetër") e ushtarët të kthehen në
vendlindje:
"Hajde shokë ta shkrujmë
ni kartë,
E, ta çojmë në atë vilatë,
T'u thomi vllazënve të mos na i marrin gratë,
Si të na presin gratë shtatë vjet,
Jepnu izë të shkojnë në shpi të vet,
Le të martohen, ku të dojnë vetë,
E le t'i marrin burrat pleqë,
Burrat pleqë, pleqë me mjekërr,
Se burrë të ri ma nuk ka tjetër,
Ishalla vjen ndoj dever tjetër,
Dever tjetër, dever i ri,
Ishalla vijnë askeri në shpi."
Shqiptarët gjithmonë kanë
qenë të detyruar që të mbrohen me armë nga të
huajt dhe të luftojnë për ekzistencë, duke u marrë
me punë të rënda fizike. Prandaj, më tepër i
kanë favorizuar djemtë se vajzat. Mirëpo, ushtarët
e rinj të dëshpëruar e të zhgënjyer ua merrnin
lakmi vajzave që nuk shkonin ushtarë, prandaj, në letër
i porosisin të afërmit në vendlindje:
"Si t'ju leftë n'shpi
ndo'i çikë,
Kqyrne e rujeni si dy sytë,
Por, n'ju leftë n'shpi ndo'i djalë,
Prejani kryet me gërshanë!
Mos e leni në Jemen me ardhë,
Se po vlojke xhezvja në zallë,
Krejt leshi krejes na ka ra!"
Tahir Z.Berisha
Londër, 2002
Vazhdon...
|