ATY KU HAPET NJË SHKOLLË, MBYLLET NJË BURG

Shkruan: Hamza Halabaku, Nyrnberg
(Marrë nga "Bota Sot", dt. 4 korrik 2003)

Portret:
Me rastin e 75 vjetorit të lindjes së Tahir Z. Berishës, veteran i arsimit dhe publicist

TAHIR Z. BERISHA:
"ATY KU HAPET NJË SHKOLLË, MBYLLET NJË BURG"


Profesor Tahir Berisha, sot shumicën e kohës (e kohë “ka shumë pak” siç thotë ai vetë), e kalon nëpër arkivat, muzetë dhe bibliotekat e Londrës, gjithnjë duke gjurmuar dhe shkruar për të kaluarën tonë. Edhe kur isha nxënës i tij, profesor Tahir Berisha thoshte: “Shumë gjëra për të kaluarën tonë janë të shkruara dhe të vendosura nëpër arkivat e metropoleve të Evropës, prandaj ato duhet të gjenden dhe të studjohen”.

Karrierën e mësuesisë e filloi si tetëmbëdhjetëvjeçar në vitin shkollor 1945/46 në Zarbincë të Bujanovcit. Është autor i pesë veprave voluminoze.

Tahir Berisha 1993
Tahir Berisha është dekoruar me shumë mirënjohje dhe medalje

Për Tahir Z.Berishën kam dëgjuar për herë të parë në moshën time të re, kur e kisha mbaruar tetëvjeçaren dhe përgaditësha që të regjistrohem në njërën nga shkollat e mesme. Qyteti më i afërm për mua, që në atë kohë kishte shkollë të mesme, ishte Gjilani.

- Po të kishit lindur vetëm një vit më herët, do ta kishit mbaruar tetëvjeçarën në vitin e kaluar dhe, ndoshta, të gjithë do të ishit regjistruar në shkollë të mesme – na pat thënë një arsimtar i yni në qershor të vitit 1963.
- Pse? – e pyeti një shok i imi i klasës.
- Sepse, vitin e kaluar në Gjilan, drejtor i Shkollës së Mesme Ekonomike ka qenë Tahir Berisha – “nëna e nxënësve”, si e quanin. Ai ka kontribuar shumë, duke regjistruar një numër të madh të nxënësve shqiptarë – na pat thënë atëherë arsimtari i shkollës fillore në fshatin tim të lindjes, në Pozharan.

Këto ishin fjalët e para pozitive që i kisha dëgjuar në pranverën e vitit 1963, për profesorin dhe drejtorin tim të ardhshëm, me të cilin prej 1 majit 1973, e deri më sot, kemi mbetur edhe bashkëpunëtorë e miq të mirë.

Deri në vitin 1982 që të dy punuam në organet më të larta të administratës krahinore në fushën e arsimit. Tahiri ishte inspektor dhe kryeinspektor krahinor i arsimit, kurse unë bashkëpunëtor i Pleqësisë së Arsimit të Kosovës. Karrierën që të dy e përfunduam në Kuvendin e Kosovës, Tahiri si këshilltar dhe sekretar i një komisioni të Kuvendit, kurse unë si ndihmës sekretar i Kuvendit të Kosovës deri me 5 korrik 1990, kur pushteti serbë i nxorri me dhunë të gjithë shqiptarët nga zyret dhe organet e Kuvendit të Kosovës.

Tahir Berisha 1947
Tahir Berisha (ulur) mësuesi i parë në Zarbincë me shokët Selim Kamberi dhe Qemal Kallaba

Tahir Z.Berisha u lind më 31 korrik 1928 në fshatin Vërban të Vitisë, ku para Luftës së II Botërore e kreu arsimin fillor në gjuhën serbokroate. Si 16 vjeçar mori pjesë aktive në LNÇ për t’u çliruar nga okupatorët e atëhershëm. Pas përfundimit të luftës, Tahiri punoi në dy fronte: në shkollimin e ngritjen e vet profesionale dhe në arsimimin e nxënësve. Menjëherë u regjistrua në kursin e parë pedagogjik dhe pas kryerjes së tij me sukses të lakmueshëm, në vitin shkollor 1945/46, ende pa i mbushur 18 vjet, u emërua mësues i parë në Zarbincë të Bujanovcit që atëherë administrativisht i takonte territorit të Kosovës. Pa shkëputje nga puna arriti që të kryej maturën, Shkollën e Lartë Pedagogjike – degën e gjuhës shqipe e të letërsisë – dhe Fakultetin Filozofik – degën e letërsisë jugosllave dhe t’i vazhdojë studimet në shkallën e tretë në Zagreb.

Tahir Berisha, si të thuash, kaloi nëpër të gjitha nivelet e arsimit. Si mësues, përveç në Zarbincë, ai punoi edhe në shkollat fillore të Vërbanit e të Prishtinës. Ishte arsimtar i gjuhës shqipe në Gjimnazin e lartë dhe shef i Entit Pedagogjik – Arsimor në Gjilan, sekretar i Pleqësisë për Arsim dhe Kulturë në Viti dhe mbi 15 vjet inspektor dhe kryeinspektor i arsimit të Kosovës.

Për punën e suksesshme të T.Berishës si mësues i parë në Zarbincë, ka shkruar gjerësisht inspektori i atëhershëm krahinor i arsimit. (shih M.Gjevori: “Mësuesi i popullit”, Jeta e re, Nr.1-2,1950). Edhe pse, kudo që punoi u dallua në punë me përkushtim dhe vetëmohim, madje edhe si ish pjesëmarrës i luftës, megjithatë ai nuk u shikua me sy të mirë nga organet e sigurimit shtetëror. Në Viti atij iu hap “Dosja” (shih Sulltane Kojçini – Ukaj: “Kuadri arsimor shqiptar në Kosovë në shënjestrën e Sigurimit Shtetëror (1945-1952)”, fq.234), kurse në Gjilan më 1956 gjatë aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve nga shqiptarët edhe u përjashtua nga arsimi. (Pas Plenumit të Brioneve më 1966, u rehabilitua dhe prapë u kthye në organet e arsimit). Po ashtu, gjatë regjimit të Millosheviqit në vitin 1989, përsëri u kritikua rreptë dhe u përjashtua nga Lidhja e luftëtarëve dhe u pensionua para moshës së pleqërisë. Kësaj radhe si shkas u morën mospajtimi i tij rreth ndërtimit të Fabrikës etnike serbe në Batusë dhe kritikat e tij të hapta të politikës zyrtare serbosllave në Kosovë etj.

Drejtori i shkollës që bëri kthesë të madhe

Me ardhjen e Tahir Z.Berishës për drejtor të Shkollës së Mesme Ekonomike në Gjilan në vitin 1960 u bë një kthesë e madhe pozitive në këtë shkollë në favor të nxënësve shqiptarë. Para atij viti në këtë shkollë ishin të regjistruar simbolikisht vetëm pesë a gjashtë sosh me mësim në gjuhën serbokroate. Me ardhjen e Tahirit në Shkollën e Mesme Ekonomike filloi diçka e re pozitive për shkollën dhe nxënësit. Në vitin shkollor 1960/61 në Gjilan u përmirësua dukshëm struktura nacionale e mësimdhënësve shqiptarë. Atë kohë nëpër shumë klasë të kësaj shkolle filloi për herë të parë ligjërimi edhe në gjuhën shqipe në shumë lëndë mësimore. Madje edhe në korridoret e kësaj shkolle dëgjohej gjithnjë e më shumë fjala shqipe, sepse numri i nxënësve ishte shtuar, pasi që ishin pranuar mbi 10 arsimtarë të ri shqiptarë dhe ishin hapur pesë paralele të reja të rregullta në gjuhën shqipe dhe po aq paralele për të rritur. Lëndët ekonomike në gjuhën shqipe i mbante Hajrullah Gorani, të drejtësisë Muharrem Latifi, stenodaktilografinë Mehmet Kurteshi, historinë Sadullah Brestovci, gjeografinë Tefik Geci etj. Të gjithë ishin të diplomuar.

Në këtë vit shkollor drejtori i ri i shkollës nxitë një numër nxënësish të dalluar dhe i përkrah që ta fillojnë botimin e fletushkës së shkollës “Shprehja e të rinjëve”, ku i botuan punimet e veta të para poetët e mëvonshëm, si Beqir Musliu, Hamza Halabaku e të tjerë. Në këtë fletushkë i bënë përpjekjet e para edhe ekspertët e ardhshëm të gjuhës e të letërsisë, si dr.Faik Shkodra, pastaj punëtorët e ardhshëm shkencorë në lëmin e ekonomisë dhe të drejtësisë si: dr Musa Limani, dr Rahmi Nuhiu, dr Selman Selmani, mr Jusuf Zejnullahu, mr Sahit Avdiu, Mehmet Bushi, Sadik Vllasaliu, Muhamet Haxhikurteshi, Ali Gagica e shumë e shumë të tjerë që sot janë emra të njohur të shkencës dhe të kulturës shqiptare.

Ky afirmim i Shkollës Ekonomike të Gjilanit dhe rezultatet e saja pozitive në çdo pikëpamje, si duket i shqetësonin gjithnjë e më tepër disa shovenista lokalë e sidomos sekretarin e partisë të Komitetit të Rrethit, Svetozar Gjorgjeviqin dhe shefin e UDB-ës së Gjilanit. Prandaj filluan vazhdimisht t’i bëjnë pengesa dhe ndërskamca drejtorit të saj, Tahir Berisha, i cili ishte bartësi dhe promotori kryesor i gjithë aktivitetit arsimor – edukativ të shkollës. Edhe pse pas shumë hetimeve dhe mbledhjeve maratonike në shkollë, nuk u konstatua kurrfarë gabimi, megjithatë Tahir Berisha u detyrua që ta braktisë Gjilanin dhe të shpërngulet në Prishtinë, ku e vazhdoi aktivitetin e vet me intenzitet edhe më të madh.

“Nuk kam dëgjuar që të ketë bërë keq dikush që ka hapur shkolla”

Më lartë e përmenda se me profesor Tahirin kemi qenë bashkëpunëtorë në Sekretariatin e Arsimit, Shkencës dhe të Kulturës. Tahiri në vitin 1973 ishte kryeinspektor i arsimit të Kosovës dhe kryetar i Bashkësisë Punuese. Në prill të atij viti konkurova në vendin e lirë për bashkëpunëtor në Pleqësinë e Arsimit të Kosovës. Bashkësia punuese, në një konkurencë të fortë, më pranoi mua.

Në vitet e shtatëdhjeta në Kosovë ishin bërë ndryshime të mëdha në fushën e arsimit, të kulturës, të shkencës, po edhe të lëmenjëve tjerë. Shumë herë kryeinspektori më caktonte edhe mua në komisione për t’i “verifikuar” kushtet e nevojshme për hapjen e shkollave të ardhshme të mesme dhe atyre të larta dhe fakulteteve në Kosovë që ishin përcaktuar me ligjet e atëhershme krahinore.

Më kujtohet si sot, kur një herë me Tahirin ktheheshim nga terreni. Ishim vetëm ne dy kur i thashë se: “M’ka kapluar një dozë frike se mos do të na bëjnë vërejtje pse po hapen shumë shkolla në gjuhën shqipe”. Atëherë isha në moshë të re dhe e shihja se përherë, në çdo mbledhje sekretari i atëhershëm (Dragan Qukiq), përpiqej vazhdimisht që ta eliminonte Tahirin. Mirëpo Tahiri ishte gjithmonë konsekuent dhe krenar për atë që bënte dhe përherë dilte fitues në dialogjet që zhvillonte me ministrin serb në mbledhjet e Bashkësisë Punuese të Sekretariatit dhe në polemikat që bënin në gazetat e atëhershme që botoheshin në Prishtinë dhe në Beograd. Tahiri më shikoj duke buzëqeshur lehtë dhe më tha: “Nuk kam dëgjuar e as lexuar gjer më tani që të ketë bërë keq dikush që ka hapur shkolla…” dhe vazhdoi: “Mos ke frikë o Hamza i dashur se aty ku hapet një shkollë, mbyllet një burg”.

Me këtë rast nuk mund ta lë pa e përmendur një virtyt që e posedon profesor Tahir Berisha. Ai gëzohej shumë për të gjitha të arriturat dhe sukseset e bashkëpunëtorëve, të bashkëvendasve dhe të bashkëkombësve të vet, ndërkaq, dëshpërohej për çdo gabim eventual të tyre. Profesor Berisha i takon plejadës së atyre njerëzve që i kontribuan më së shumti zhvillimit dhe afirmimit të arsimit dhe të kulturës sonë kombëtare në vitet kur ishte më së vështiri që të jesh shqiptar i arsimuar, e jo më që të veprosh si intelektual i mirëfilltë dhe vizionar.

Sot profesor Tahir Z.Berisha, në moshën 75 vjeçare, jeton dhe vepron në Londër, ku e hodhi fati si shumë shqiptarë të tjerë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Profesor Tahir Berisha, sot shumicën e kohës (e kohë “ka shumë pak” siç thotë ai vetë), e kalon nëpër arkivat, muzetë dhe bibliotekat e Londrës, gjithnjë duke gjurmuar dhe shkruar për të kaluarën tonë. Edhe kur isha nxënës i tij, profesor Tahir Berisha thoshte: “Shumë gjëra për të kaluarën tonë janë të shkruara dhe të vendosura nëpër arkivat e metropoleve të Evropës, prandaj ato duhet të gjenden dhe të studjohen”.

Tahir Z.Berisha krahas punës në procesin mësimor-edukativ, vazhdimisht është marrë edhe me shkrime letrare e publicistike. Ai është autor i këtyre titujve: 1.”Trojet që nuk shuhen”, Prishtinë 1993, botimi i parë dhe 1995, ribotimi; 2. “Emra që nuk harrohen – Arsimtarët veteranë (1941 – 1951) dhe arsimi shqip në Kosovë”, I, Prishtinë 1994; 3. “Emra që nuk harrohen – Arsimtarët veteranë (1941 – 1951)”, II, Prishtinë 1996; 4. “Rrëfime në vetën e parë”, Prishtinë 1998 dhe 5. “Shënime dhe ecejake të një refugjati nga Kosova”, Londër 2001. Promovimi i këtyre veprave u bë në Prishtinë, Preshevë, Shkup, Tiranë, Elbasan, Stamboll, Glasgou të Skocisë dhe në Londër të Anglisë. Disa ekzemplarë të këtyre veprave sot gjenden në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Prishtinës, në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës, në Bibliotekën Britanike të Londrës etj.

Tahir Berisha, merita të veçanta ka edhe si inisiator për konstituimin e manifestimit unikal “Takimet e veteranëve” dhe si sekretar i përgjithshëm shumëvjeçar i Shoqatës së Veteranëve të Arsimit të Kosovës.

Idenë e gjetur dhe të rëndësishme për takimet e veteranëve, ai e dha në vitin 1981 kur regjimi serbosllav filloi gradualisht dhe sistematikisht ta rrënojë e ta pengojë çdo gjë shqiptare edhe në fushën e arsimit. Si koordinator i punës së dhjetë takimeve një dhe dyditore që u mbajtën për çdo vjet në qendra të ndryshme të Kosovës, Tahir Berisha i grumbulloi dhe i evidentoi shumë emra dhe biografi të këtyre pishtarëve që i hapën shkollat e para në trevat e ndryshme shqiptare jashtë shtetit amë. Këto shënime dhe ato që u grumbulluan edhe pas mbylljes së arkivave dhe institucioneve të tjera arsimore, i shërbyen këtij, si autor, për hartimin e dy vëllimeve të Monografisë “Emra që nuk harrohen – Arsimtarët veteranë (1941 – 1951)”, ku u përfshinë mbi 2000 portrete e biografi. Tani e ka në përfundim e sipër edhe vëllimin III që e pat filluar para luftës së fundit në Kosovë.

Tahir Berisha 2003
Kujtim nga vizita te veterani i arsimit Rabit Rexhepi
në Prishtinë më 23 Prill 2003

Si sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së veteranëve të arsimit që nga themelimi i saj, Tahir Z.Berisha, zhvilloi aktivitet të palodhshëm, sidomos në forcimin e kontakteve dhe marrëdhënieve me Shoqatën Kombëtare të Veteranëve të Arsimit “Normalisti” me seli në Elbasan. Kështu pas shkëmbimit të disa shkresave, ai së bashku me Mehmet Gjevorin, kryetar i Shoqatës, në nëntor të vitit 1998, e vizitoi Tiranën dhe Elbasanin, ku Shoqata “Normalisti” e organizoi promovimin e dy veprave të këtyre dy veteranëve të arsimit. Me atë rast u arrijt një pajtim parimor që këto dy shoqata simotra të bashkohen në një shoqatë të përbashkët gjithëkombëtare me degët e tyre në Elbasan, Prishtinë, Tetovë dhe Ulqin. Për shkak të plasjes së luftës në Kosovë, kjo inisiativë atëherë nuk mundi të realizohet. Kjo u bë e mundshme vetëm pas përfundimit të luftës në Ditën e Mësuesit më 7 mars 2001.

Për punën dhe kontributin e tij të madh, Tahir Berisha është dekoruar me shumë mirënjohje dhe medalje. Mirëpo, pas masave dhe aksioneve të egra që ndërmori pushteti okupues serbomadh në rrënimin e tërë asaj që ishte arritur për dekada me rradhë, ai hoqi dorë publikisht nga Shpërblimi “25 maj”, që ia ndau Kuvendi i Serbisë, në bazë të propozimit të organeve të Kosovës. (shih “Rilindja”, dt. 1 gusht 1990)

Tahir Berisha më 31 korrik të këtij viti, i mbushë 75 vjet. Uroj nga zemra që profesorin tim ta mbajë shëndeti, të ketë jetë të gjatë sa malet tona dhe suksese edhe më të mëdha në krijimtarinë e tij letrare e publicistike.