|
||
Tahir Z.Berisha, lindi në Vërban të Vitisë më 1928. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, maturën e mësuesisë në Pejë, kurse Shkollën e Lartë Pedagogjike (Gjuhë Shqipe dhe Letërsi) dhe Fakultetin Filozofik në Shkup. Si 16 vjeçar mori pjesë
aktive në LANÇ, kurse në moshën 18 vjeçare
u emërua mësues në Zarbincë të Bujanovcit - Kosova
Lindore. Veprimtarinë arsimore e vazhdoi si arsimtar në gjimnaz,
drejtor i Shkollës së Mesme Ekonomike dhe drejtor i Entit Arsimor
Pedagogjik në Gjilan. Në vitin 1956, gjatë aksionit famëkeq
për mbledhjen e armëve u përjashtua nga mësimi si
"i papërshtatshëm politikisht". Pas Plenumit të
Brioneve dhe rënies së A.Rankoviqit, më 1966, rehabilitohet
dhe kthehet prapë në arsim ku punoi si inspektor dhe kryeinspektor
i arsimit si dhe sekretar shumëvjeçar i Shoqatës së
Veteranëve të Arsimit të Kosovës.
Në veprën e parë, "Trojet
që nuk shuhen" e cila i kushtohet Vërbanit, vendlindjes
së autorit, dhe Anamoravës, bëhet fjalë kryesisht
për masakrat e ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve në
vitin 1912/13, për reformën agrare dhe kolonizimin në Kosovë
si dhe padrejtësitë e tjera që iu bënë shqiptarëve
gjatë kohës së Jugosllavisë monarkiste, kur shkollat
dhe arsimi në gjuhën shqipe ishin rreptësisht të ndaluara. Vepra "Shënime dhe ecejake të një refugjati nga Kosova" dallon nga veprat e mëparshme. I filluar në formë të ditarit në Prishtinë në prag të bombardimeve të NATO-s, në mbi 300 faqe në pjesën e parë, përmban shënime nga Kosova, Maqedonia, Turqia, Anglia dhe Skocia. Në pjesën e dytë bëhet fjalë për shqiptarët në Angli (për mërgatën e mëhershme dhe refugjatët e fundit e problemet e tyre). Shtojca e veçantë përmban disa artikuj, analiza dhe intervista me personalitete të ndryshme dhe korrespondencën e autorit me shokë, miqë e të tjerë. Libri është i ilustruar me shumë fotografi, skica dhe harta. Në dorëshkrim i ka mbetur edhe vëllimi i tretë i librit "Emra që nuk harrohen...".
|