SHPALIM DORËSHKRIMESH

LISI NË DERË TË KOVAÇIT
(Kushtuar popullit shqiptar në Ballkan)

Ty o lis që në derë të kovaçit ke qëllue,
O Ti i shumë shekujve dëshmitar,
Kush asht çue ma herët sakicë të ka mshue.
Ke qenë kah mbaron o lis legjendar!

Tue hy e tue dalë Ty të ranë sëpatë,
O, edhe sod shejat n'trup i ke ispatë!

Si sakicat mizore me të qit fare
Dhe errësina t'asht kërcnue,
Prej reve të denduna si batare
Shpesh rrufeja t'u ka gjue.

Shumherë trupin ta ka vra,
Deg't e njoma t'i ka tha!

Por tash trupi t'u ka trash;
Me mish të ri varrët t'janë mbulue,
Me sy të mij unë vet të pash
Me lang tand tue i shërue.

N'katër'anët degët t'janë zgjanue
Ku nji t'u thue - dhjetë janë rendue!

Edhe moti tash mirë asht kthjellë;
Vranësitë e zeza janë largue.
Horizonte të gjana t'u kanë çelë,
Hovshëm dielli rrezët t'i ka lëshue.

O ngrihe ballin tash nalt nën re
Se edhe për Ty lindi jetë e re!

S'ka sakicë trupit tand ma që ia le
- Le të ndryshkën të gjithë ziliqarët!
S'ka me ngja ma çka ngjau dje
Çka asht nisë para ma nuk ndalet!

Hej! Vet je krijues i fatit tand,
Sakicë e ndryshkun ma s'ka çka të ban!

Tahir Z.Berisha
Vërban, 1954


TY, O VREMÇ BUJAR
(Shkruar me rastin e një fushate
për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi)

Kur u linda, në muajt e parë,
Prej të gjithë shpendëve tjerë,
Ty të kam parë, o vremç bujar,
Në këtë vend banues përherë!

Kohë e gjatë ka kaluar
Me mot të lig e me stuhi,
Por Ti kurrë s'je larguar,
Ke pasur çerdhën n'këtë shtëpi!

Prej dimrit të ftoftë as lagështisë,
Asnjëherë Ti s'je frikësuar,
Ke ndreq'strofullin n'strehë t'shtëpisë,
Ditë më të mira ke ëndërruar.

Ndërsa zogjtë e tjerë pa ia ndarë,
Për çdo vjet kanë shtegtuar,
Të mirë e të keq me ne ke ndarë,
Prandaj, Ty me zemër të dua!

"Xhav-xhiv"-i yt më i ëmbël
Se vajtim i ndonjë bilbili,
Që fsheh dorën kur hedh gurin,
I strukur mirë në skaj pylli!

- Ti je shembull për shumëkend,
Për dashuri ndaj vendlindjes,
Që përballon çdo send
Për t'mos lënë folenë e prindjes!

Këtu, ku së pari pamë qiellin,
Të mira - të këqija do t'i presim,
Këtu më këndshëm na ngroh dielli,
Këtu të qetë, pra dhe të vdesim!

Tahir Z.Berisha
Vërban, 1954



ELEGJI
(Një të resë së vyshkur para kohe)

Që tri vjeshta që kaluan
dhe e katërta tash po shkon,
Bari e pema mugulluan
- Trupi yt n'dhe po pushon.

Më s'të gjej, të lypi kot
Prandaj derdhi gjak e lot!

Qe tri vjet po lulëzon dardha
Nën të cilën shpeshherë rrijshim,
O, ato ditë kanë qenë fatbardha
Halle të jetës kurrfar' nuk kishim.

Ato ditë me gjë s'shpërblehen,
Me Ty humbën kurrë më s'kthehen!

Çdo mbrëmje rrijshim te e vona,
Ndërsa hëna na shndritte;
Thoshe bota është e jona
E fjalë t'ëmbla pëshpëritje.

Edhe bilbili këndonte i gëzuar
Kur na shihte të përqafuar.

Nën lis të mllakës varri të gjindet,
Me gjethe të thata i mbuluar e bari
Si të të fsheh mos të shohin prindët,
Kur të kalojnë prapë atypari.

Edhe këtu bilbili shpesh t'shoqëron.
Por tash vaj bën dhe më s'këndon.

Tahir Z. Berisha
Shkup, 1955



PSE E ÇMOJ TIM ET?
(Me rastin e 56-vjetorit të vrasjes së Zeqë Vërbanit)

Unë e çmoj shumë tim et,
Se kur isha fëmi në djep,
Të më lidhin s'lejoi kurrë,
Duarlirë u rrita, u bëra burrë!

Në odë hyja pa ndalesa,
Me burra rrija pa pengesa,
Këshillat e tij i dëgjova,
Historinë n'odë e mësova.

Kur për shqiptarë shkolla s'kishte,
Ai dëshirë të flaktë për to kishte.
Tha: "Pa shkolla s'bën të jemi,
Shkollat shqipe do t'i kemi!"

Kur "me sy e pashë vdekjen"
Me trup të vet ma shpëtoi jetën
E kujtoj, pra, sa të jet jeta
Por, ndoshta, ende borxh i mbeta?

Tahir Z.Berisha
Londër, shtator 1999



DIALOGU BABË E BIR
(Porosia në Griniç të Anglisë)

- Pushtuesi, babë, na ndau
Prej atdheut na përzu' shkau!
Por, pa pritë, e pa kujtuar
Në Angli jemi bashkuar.

- Po, në Griniç u takuam,
Në Meridian u fotografuam.
Ti në "Lindje", unë në "Perëndim"
Që do të na mbetet si kujtim.

Gjatë jetuam në robëri,
U flijuam shumë për liri,
Që lirinë ju ta gëzoni,
Idealet në vend t'i çoni!

Unë u plaka, bir, e ti po rritesh,
Timen e kreva, prej teje pritet:
Që ku unë mbeta, të vazhdosh,
Çka lash mangu, ta plotësosh!

Tahir Z. Berisha
Londër, qershor 1999



Për shqipëtarët historia po përsëritet.
Ata edhe sot janë të persekutuar, të përndjekur dhe të shpërngulur në mbarë botën.
Por, kudo që janë, ata mendojnë edhe luftojnë për atdheun dhe vendlindjen e tyre,
për Shqipërinë dhe Kosovën martire.

NËNË E BIJË

Në çdo vend, e në çdo anë
Çdo shqiptar e ka një nënë
Nëna jonë është Shqipëria
E Kosova është e bija.

Bijt' e shqipes kudo janë
Japin jetën për një nënë
Për një nënë e për një bijë
Për Kosovë e për Shqipëri.

Për Kosovën po luftojmë
Ja të vdesim ja të rrojmë.
Nuk durohet më robëria!
Me ne janë Amerika e Anglia.

Le ta dijë bota mbarë
Për liri luftojmë të pandarë!
Se liria kurrë nuk falet
Rrëke gjaku rrjedh, nuk ndalet!

Të bashkuara nënë e bijë
S'ka çka u bënë asnjë Serbi.
S'rron Kosova më në robëri
Pa Kosovën nuk ka Shqipëri!

Tahir Z.Berisha
Glasgou, 12 korrik 1999



PSE U ZUNË ABA HASË DHE HALLA RABË?

Për domazllëkun e mirë të pulave që mbante, hallën Rabë e njihte jo vetëm katundi ynë, por edhe katundet tjera rreth e përqark. Gjithmonë oborri i saj vlonte prej gjithfarë pulash. Sidomos gjelat e saj si këngëtarë, e besa edhe si azgana, ishin në zë. Vetëm një vjet dergja gati ia pat çfarosë të gjitha pulat edhe pse s'pat lënë gjë pa bërë duke filluar prej gurkalit, shkrirjes së plumbit dhe provave tjera që dinte ajo vetë e deri te hajmalia e Mulla Abazit. Madje edhe gjelin plak që i pat mbushë gati katër vjet dhe s'bënte më ta mbante (sepse thonë pas kësaj moshe ai gjithnjë lutet: "ishalla më unë po mbetem zot shtëpie") nuk e preu si zakonisht, por e çoi deri në teqe të Kaçanikut, kinse për shëndetin e pulave tjera, e sevapin e shpirtit të vet, por si duket kishte qenë vetëm për kismetin e rojtarit të teqes.

Kur pulat tjera në katund patën marrë injeksione, kjo nuk pranoi t'u japë të vetave, duke u frikësuar se po u prishen vezët. Mandej edhe "aty ku insani mundohet me nreq shka zoti, i kofshim falë, ka lënë eksik - aty bereqet s'ka!" - arsyetohej halla Rabë. "Unë dajm i kam majt pa inekcia po kush i ka pasë pulat si të miat?" Mirëpo, për çudi, të gjitha ato pula që morën injeksione shpëtuan, kurse hallës Rabë, atje tek qoftë, i cofën të gjitha, përveç një zogut pandlaveç dhe dy pulave më të këqija - njëra e zezë si futa me bisht të gjatë e me një krye si hudër, e tjetra një qafëcullake ngjyrë hiri. Për këtë fatkeqësi të pulave të saja halla Rabë i ankohej secilit që bisedonte me të:

- Përze' moj loçkë, shka m'u kanë dhimtë këto pula, veç shkoftë dhimta me to se kurr s'muj me i harrue!… S'janë kanë shkado pula, po si gusa; kur i prejsha e qitshin ka gjys kile vjam sari si dylli, krejt polena-polena. Anima shka o konë knusi!… Kur knojke ky për zdyti, dije si me sahat dhe serbez kalle zjarmin ja qite tëpinin se fërku i sabahit s'asht larg… At za si kavall e zgatke, bre, gjys sahati! E tash pa te po më doket se edhe oborri asht shëmtue, ka m'et shkret. Zaten, kanë thanë të moçmit: zoti mos e lasht kan pa knues e qen në shpi… Knuesi asht sahati i shpis dhe, këtyne hereve, nër fise u pagujke gjys gjaki ja njizet e pesë lira… Le të knuemën, po shka e konë rojs se! - Ni vremç me ba prrr n'oborr, veç t'ja u dhake shejin pulave: krraaa, krraaa - , e ato të tana u strukshin sa çil e mshil syt. Se ma pse guxojke me hy knues i kojshis n'oborr, ban be e mos u tutë hiç!… U pat halit vjet knusi i Hafizit dhe vijke kaniherë nëpër ni birë që e patën ba qent në gardh. Hini ni herë dhe frik e frik duel pa e diktue ky. Zdyti t'ja kish zan shtekin ky babushi dhe s'ka vanue çerek sahati e lau në gjak. Unë, edhe, jam turrë me i da tue kap për kame të huejin, kur e pash i jemi ja qorroi njanin sy si mos me kon!…"

Hallës Rabë edhe sot i kujtohet se si kjo zënie e gjelave u pat bë shkak që t'i prish marrëdhëniet me Hasën, të shoqen e Hafizit. Të nesërit ia pat mbërri Hasa e zbehtë në fytyrë dhe duke u dridhur si e kishte zakon t'ia pat nisur: "e zoti ju marroftë, e ju s'kishi pasë kurrnji fe, pse m'e m'ajt knusin e huej" -, e të muar e ta bëri hallën Rabë për një pare. Kjo në fillim u përpoq të mbrohet duke thënë se sigurisht Zadja e ka shpif pse ia ka inati, derisa më në fund shpërtheu:

"E po de, ban në paç shka me ba se boll mirë ja ka ba! Shka ka lyp me hy n'oborr të huej e me prek në pula të hueja?… A haram i koftë që s'ja ka nxjerr edhe qetrin sy. Po kjo… gruja koka pi ku s'duhet!…"

"Jo, moj bijë, e ke majt për kame se as glacën sun ja ha knusit tem me u ba i yti edhe ni herë sa asht" - t'ia krisi Hasa.

"O qyqajka e natës! Ani, mue m'erdh gjynah e dashta me e da atë skremç se ky birazeli ke tu' ja nxjerr shpirtin n'dakik" - arsyetohej halla Rabë.

"Jo, unë mishin e thivit e haksha që veç mos ardht Hafizi prej pazarit, nashta ishalla atje nuk jet, se pa i thanë le ta shti Irfanin në koçak e me ja thye ni kamë knusit juv - s'e kam lanë!"

"Ani de, ani. Ti veç shtin sa t'mujsh se, zatën, ju farën e keni të flliqtë dhe loza e juve kurr s'ka pshtue pa gjak e pa bela. Veç ta dijsh se bât e ma prekt knusin, ju ka prek e liga në rrajë të veshit! Ni shibël me m'i ra, ju ma këtu ven s'kini!…"

"Edhe unë po të thamë, mos kofsha Raba e Ali Asmanit që s'shkova ni ditë në hyqmet te aj ma i madhi dhe me i thanë le t'ma ban ni çare! Hak s'ju kam, beli, po m'keni gjet grue të shkretë, pa mashkull të rritun në shpi, e marre me ju ardh s'po ju vjen dhe, për kurrgjasen po më kceni në qafë…" - Këtu si ta kishte prekur hithi halla Rabë u nxe edhe më tepër.

"Ti kujton se kam harrue shka pat ba vjet Hafiz zeza, burri plak, zoti ja marroftë ftyrën! Veç pse pat shkel përlaku n'arë, desh e këputi çykë shati e më tha shka i erdh në gojë."

Mbasi heshti pak thuase e pa të shkruar dikund në Kanunin e Lekës, me një zë autoritativ, vazhdoi:

"Me pas dal, bijo, knusi jem n'oborr t'an - atëherë pasha shoqen, ke pasë të drejtë, derdiku, me folë se mbasi aj ka hy n'oborr tem, edhe me pasë lanë në ven' s'ka pasë me i dhan hesap kujt… Secili munohet për erz e namuz të vet. E ky pse asht shpen - halla Rabë për pak qe duke thënë se edhe ky, gjeli i saj, ka erz e namuz, por ia rrotulloi shpejt - edhe ky ka shpi e oborr të vetin!"

Pas kësaj ngjarjeje shkoi gati një vjet e s'patën folë as hy e dalë ndërmjetveti… Hasa gjithkujt i pat treguar se halla Rabë ia ka vërbuar gjelit të saj syrin për inati sepse ishte më i fortë se gjeli i vet. Edhe kjo në kohët e fundit e pat mbush tërë botën duke thënë se Hasa i ka bërë magji dhe ia ka qit fare pulat. Kështu i kishte treguar edhe falli edhe Zadja, megjithëse gjithmonë shkonte keq me te. Kjo, gjoja e kishte pa me sy të vet Hasën natën e Shëngjergjit duke ndenjur cipricullak para derës së hallës Rabë me një shul në dorë. Madje edhe e kishte dëgjuar me veshët e vet duke thënë: "Këtu drejt mos baft qen ham, ham, as knus kikiriku!" dhe i kishte ra shulit për toke duke përcjellë me fjalë:"Hyp bereqet!" e kur ka arritur para derës së vet, ta merr mendja: "Zhdryp bereqet!"

Hallës Rabë s'ia bënte aq dhembja e pulave sa inati i Hasës. Prandaj po të kishte kush të dëgjonte ajo s'pushonte gjithë ditën e lume duke rrëzuar gurë në Hasën. Disa që s'kishin durim ta dëgjonin përpiqeshin t'ia ndërprejnë bisedën me fjalë:

- T'i paçin marrë të ligat, oj Rabë! Ishalla je vetë shnosh se malli shkon e vjen.

Vetëm kur vinte Aba Melë e heqte dryshkun, sepse edhe ajo, e ngrata, kishte hallet e veta rreth mësyshit. Asaj s'i vinte mërzi ta dëgjonte e aq më pak pritonte të flasë edhe vetë. Kështu, pra, sa pushonte pak halla Rabë sa për të marrë frymë, ia fillonte Aba Melë:

- Po, moj motër, edhe neve na plasi bullica prej mësyshit… Na qilloi dyqani i kooperativës ngat e sa herë që kapërcejke bullica atypari, hallki t'i hapshin sytë kapuç: njani: "Ajt, mashalla, bullica e Jasharit!" tjetri: "Av, kqyrja gjitë si koshi!" e hallki, moj motra jeme, qeshit sy dhe na e shituen bullicën, he ishalla jarabi kurr s'u shohin hajr të vetave… Edhe i pata thanë ni kopilit që e rujke: Mos, nano, kur t'i pashë që janë mledh kallaballëk para dyqanit mos e bjer bullicën. E aj thuese i thojsha: Kqyr e rueje kallaballëkun ma të madh dhe qitjau bullicën përpara!… S'e di se qysh veç neve naj thajtën kashorën e gojës; qe tre muj s'kemi pa lugë të bardhë në shpi tonë. Me ble gja ni herë s'kemi kudret… Na ra si frik, moj motër, darsma e Xhaferit dhe na ka këput në rruzë, jemi harxhue bajagi shumë…

- Veç shnosh ishalla, veç shnosh - përsëri e merrte fjalën me mjeshtri halla Rabë dhe vazhdonte bisedën e saj rreth pulave dhe ngatrresës me Hasën për punë gjelash.

Tahir Z. Berisha
Prishtinë, 1948


SHTËPIA E VJETËR E VENDLINDJES

Në moshë shumë të re u largova nga vendlindja (Vërbani) dhe kohën më të madhe e kalova larg saj. Por, gjithmonë me mend dhe me shpirt jetova në të, prore e mbajta në kujtesë dhe e ndjeva në zemër. Edhe pse shpeshherë u ktheva në çerdhën e vjetër, kurrë nuk u ngopa me vendlindje dhe vazhdimisht mbeta i uritur dhe i mallëngjyer sa herë që u largova nga ajo.

Me kohë ndryshoi çdo gjë si në botë, ashtu edhe në vendlindjen time. Vdiqën shumë të njohur të vjetër, e u lindën pasardhësit e tyre; u ndërtuan shumë objekte të reja e u shkatërruan ato të vjetrat. Mirëpo, në kujtesën time mbetën gjithmonë të kthjellta, të pastra dhe të pashlyeshme dy pamje, dy piktura: shtëpia jonë e vjetër në fshat dhe ajo e Dajës Xhelë në Goshicë. Ka kaluar shumë kohë që ato më nuk ekzistojnë, por, megjithatë, unë edhe sot, sa herë që i mbyll sytë, i shoh, madje edhe në ëndërr (për çudi këto të rejat që janë shumë më të mëdha e më të bukura, asnjëherë nuk i kam parë në ëndërr). Tabloja më e shpeshtë që më del para syve është shtëpia e vjetër e fëmijërisë sime të hershme e pandryshuar fare e në të, pikërisht oda e burrave me oxhakun e hapur dhe zjarrin gjithmonë të ndezur, kurse aty pranë dhe babai në pozën e zakonshme me çibuk në gojë e mashën në dorë duke e shprushur zjarrin. Po ashtu edhe në shtëpinë e vogël dhe modeste të dajave, në ëndërr asnjëherë nuk i pashë kthinat e tjera, por vetëm shtëpinë e zjarrit, ku gatuhej buka dhe ku, pranë oxhakut të madh të zi futë nga tymi, gjithmonë vlonte vegshi i fasulës ose gjygymi i çajit. Aty, ishte domosdo edhe shkambi trikëmbësh, në të cilin isha ulur sa e sa herë.

Ëndërr ose zgjuar, edhe sot e kësaj dite, aty i shoh qartë të gjitha sendet e orenditë, duke filluar prej magjes së vjetër që kurrë nuk u gjend e zbrazët (sepse sa herë që shkoja atje, gruaja e dajës e çilte dhe prej saj nxirrte copën e bukës kollomboqe me djathë, rrethin e lakrorit me hitha, e ndandonjëherë edhe kaçikun e pulës apo ndonjë vezë) e deri te saçi, çerepi e sendet e tjera të shtëpisë. Nuk e di pse, por këto pamje, këto fotografi nga vendlindja mu kanë ngulitur thellë në kujtesë dhe shpesh më përsëriten me të gjitha hollësitë, edhe pse ka kohë që ato më nuk ekzistojnë sikurse edhe as shumë të dashur që dikur jetuan atje.

Tahir Z.Berisha
Prishtinë, 1990


KONTRASTE JETE
(Tri ngjarje - tri përjetime)

Në prag të ndërrimit të motmoteve në Prishtinë ndodhen tri ngjarje, të cilat më shtynë të meditoj për fatet e ndryshme të njerëzve. Me këtë rast m'u kujtua konstatimi i një mendimtari se fëmijëve që në start u bëhet një padrejtësi e madhe pasi që nuk kanë mundësi të konkurrojnë e as të zgjedhin kohën, vendin dhe familjen (prindërit) se ku do të linden. Por, edhe pasi të linden e të rriten, pason padrejtësia tjetër, sepse nuk mund ta dijnë fatin e fundit as kur, ku dhe si do të vdesin.

Ngjarja e parë ndodhi me një foshnje (vajzë) katër-muajshe, të cilën dikush i panjohur e la në korridoret e Dispanzerit të Fëmijëve në Shtëpinë e Shëndetit në Ferizaj. Pas vajit të pandërprerë kur u alarmua i tërë personeli medicinal, u konstatua se kjo qenie njerëzore e pambrojtur dhe ende e paaftë për jetë të pavarur, nuk ishte harruar rastësisht, por ishte lënë me qëllim. Prandaj, pasi arritën disi ta qetësojnë, e besa edhe ta ushqejnë, u morën vesh që ta vendosin në Strehimorën e Fëmijëve Bonjakë në Mitrovicë.

Ngjarja e dytë, të njëjtën ditë, ndodhi në Prishtinë. Atë ditë papritmas, vdiq nëna e tre vëllezërve (Aba Elmaze) në moshën 87 vjeçare. Si fqinj i tyre i parë, që nga fillimi mora pjesë në pikëllimin dhe dhembjen e tyre. Më erdhi mirë kur pashë se vëllezërit u interesuan se a kishte shprehë e ndjera ndonjë dëshirë lidhur me vendin dhe mënyrën e varrimit. U tha se e vetmja dëshirë e saj e fundit kishte qenë që të lëshohet në dhe me gjithë tabutin, e jo vetëm me qefin. Pa humb kohë u porosit dhe u soll tabuti i ri. Përcjellja në rrugën e fundit ishte masive. Porsa arriti kortezhi i gjatë në varrezat e qytetit u pa se atë ditë kishte vdekur edhe dikush tjetër, sepse njëri afër tjetrit qëndronin dy varre të hapura. Derisa në njërin u lëshua e ndjera së bashku me tabut, varri tjetër qëndronte i hapur pa askënd aty afër. Kah fundi i ceremonialit të varrimit u duk automjeti komunal, që i barte kufomat. Në atë çast u ngritën në këmbë edhe tre persona që deri atëherë qëndronin skaj varrezave. Njëri prej tyre i dha shoferit shenjë me dorë që të vinte aty afër. U kthyem që të gjithë në drejtim të automjetit. Nga automjeti doli vetëm shoferi, i cili u ndihmoi tre varrmihësve që me anë të litarëve ta lëshojnë arkivolin në varr. Për një çast të gjithë u shtangëm nga habia pasi që nuk pamë asnjë të afërm as përcjellje tjetër të të ndjerit ose të të ndjerës. Nga kurreshtja iu afrova njërit prej tyre dhe e pyeta kush ka vdekur. Që të tre u përgjigjën gati përnjëherë: Nuk e dimë as kush është as çka është (mashkull apo femër). E dimë vetëm se varrin e ka porositur Shtëpia e Pleqëve në Prishtinë, e ajo duhet të na paguajë. Pas një heshtjeje të shkurtër më së miri u gjend hoxha (Sejdi Simnica), i cili iu lut "xhematit që janë me avdes që t'ia falin xhenazen" këtij të panjohuri, e ashtu edhe u veprua. Duke u kthyer nga varrezat shumica filluan të komentojnë dhe të pyetën mes veti: si është e mundur që i(e) ndjeri(a) mos të ketë pasë asnjë kusheri ose të afërm tjetër për ta përcjellë në rrugën e tij të fundit?…

Përcjellja e denjë e "nënës së tre vëllezërve" dhe fati tragjik i dhembshëm i dy qenieve tjera njerëzore (njëra në fillim të jetës, e tjetra në mbarimin e saj), të shtyjnë, pra, të mendosh për kontrastet e jetës, ndërgjegjen, përgjegjësinë dhe moralin e njerëzve në përgjithësi. Posaçërisht është prekës rasti i vajzës së vogël që u braktisë dhe u la në lokalet e Shtëpisë së Shëndetit. A thua çfarë do të jeti fati i saj i ardhshëm? Ishalla nuk e përjeton fatin e të panjohurit që u varros në prag të vitit të ri, ku e solli dhe e përcolli në udhëtimin e fundit vetëm një njeri - shoferi zyrtar!

Tahir Z. Berisha
Prishtinë, 4 shkurt 1990


LEJLEKU DHE VREMÇI

Nuk kishte kaluar shumë kohë qyshse kishin filluar të kthehen shpendët shtegtarë nga viset e ngrohta. Ndër të parët kishte ardhur edhe Lejlek Ajeti i cili për çdo vit detyrohej ta ndërtonte çerdhen e rrënuar. Edhe kësaj radhe e gjeti krejtësisht të shkatërruar. Prandaj i dëshpëruar fare, nuk shkoi në Kënetën e Gilbushit të pasur me bretkosa dhe gjallesa të tjera, por i zhgënjyer dhe i brengosur u drejtua kah Zabeli i Beqir Sadovinës. U rras në te dhe filloi ta sjellë kokën djathtas-majtas duke shikuar me kujdes kurorat e lisave. Shihej se kërkonte diçka. Kjo më së pari i ra në sy kukuvajkës që rrezitej pa brenga para zgavrës së vet në lisin çufurrak. Menjëherë e zgjati qafën kah lejleku dhe ia zgurdulloi sytë e vet të mëdhenj me një zë të thekshëm:
- Krik-krek! Hej, ti! Çka kërkon këndej pari?
Lejleku njëherë u shtang, por shpejt erdhi në veti, dhe iu përgjigj me gjakftohtësi: - Kërkoj një dru të përshtatshëm dydegësh. Kukuvajka tani me zë më të butë dhe me kurreshtje e pyeti përsëri:
- Ç'të nevojitet druri dydegësh?!… Ti e ke strofullin tënd.
- E kam pasur, por nuk e kam më, prandaj dhe m'u ka mërzitur jeta dhe dua të varë vetën… Kjo s'është jetë lejleku, kur për çdo vjet, pas udhëtimit të gjatë dhe të mundimshëm detyrohem që ta ndërtoj përsëri çerdhen - i tha lejleku dhe iu duk se e hoqi një pjesë të barrës nga shpirti pasi që gjeti dikend për t'ia qarë hallin që e kishte kapluar. Kukuvajkës duke e sjellë kokën e rrumbullakët, gati iu dhembs lejleku i ngratë dhe tash krejtësisht miqësisht iu drejtua:
- Përse ngutesh, or jahu?… Përse nuk bisedon edhe me ndokënd tjetër që e ka zgjidhur këtë problem dhe nuk është i detyruar që të udhëtojë për çdo vjet e kur të vijë ta gjejë çerdhën e prishur, por rri aty dhe e ruan e lufton për te. Ja, bie fjala, Vremç Trumcaku. Ai asnjëherë nuk udhëton në viset e largëta dhe kurrë nuk i shkon mendja që të bëjë vetëvrasje. Lejlek Ajeti u mendua pak dhe e pyeti:
- Po ku mund ta gjej atë fakir?
- Rreth shtëpive dhe hambarëve të njerëzve atë e gjen verë e dimër.
Pa humbur kohë lejleku u gjet para derës së Vremç Trumcakut dhe i ra rreth e përqark e pyeti:
- Allahile, a po më tregon lumë Vremçi si po mbetesh gjallë gjatë vitit pa shkuar në viset e ngrohta?
- Shumë lehtë - iu përgjigj ky si në flakë të pushkës - Gjatë pranverës dhe verës nuk ma ndien fare, sepse ushqim gjek kudo. Kah vjeshta sillem rreth hambarëve me grurë, kurse dimrit fare nuk largohem nga shtëpitë e njerëzve. Atje gjithmonë gjej troha buke dhe hedhurina tjera. Nuk frikësohem nga njerëzit, afrohem në dritaret e tyre dhe nëpër ballkone. Përzihem edhe me pula kur zoti i shtëpisë këtyre u qet për të ngrënë. Meqë me kohë jam miqësuar sidomos me fëmijët, ndodh që ata vetë të më ofrojnë ushqim - u përgjigj Vremçi.
- Mirëpo, ç'bënë ti kur fryn veriu dhe shtrëngon acari? - pyeti Lejleku me kurreshtje.
- Unë, a? Futem nën strehë ose nën qeremide dhe i gëzuar pres ditë më të mira.
Lejleku pasi e falënderoi ngrohtësisht dhe u përshëndet me vremçin, i disponuar kërcej tri herë për toke me këmbët e gjata derisa mori hov dhe ua dha krahëve në drejtim të Kënetës së Gilbushit. Atje e kaloi gati tërë verën. Vetëm gjumin e bënte në çerdhen, që e kishte rregulluar përsëri mbi pullazin e plemës së Xha Ibishit. Në vjeshtë derisa të gjithë lejlekët tjerë masivisht përgaditeshin për udhëtimin e gjatë dhe të mundimshëm për në viset e ngrohta, Lejlek Ajeti nuk i jepte pesë para, sepse kishte vendosur që më mos të shtegtojë. Kështu më në fund mbeti fillikat. Mirëpo, kur moti filloi të ftohet më shumë, iu kujtuan fjalët e Vremç Trumcakut dhe provoi të futet nën një qeremide, por kurrsesi nuk ia doli që ta fusë sqepin dhe këmbët e gjata. U bë nervoz dhe pa humbur kohë shkoi e trokiti në derë të Vremç Trumcakut. Kur doli zoti i shtëpisë ky iu drejtua:
- Ti më more në qafë!… Unë assesi nuk po mund të futem nën qeremide! - i tha i brengosur lejleku.
- Unë ta kam dhënë idenë se si mund të shpëtosh, kurse zgjidhjen teknike duhet ta gjesh vetë. Megjithatë të kisha këshilluar që gjatë kohës kur bën ftohët të futesh në pleme mbi kashtë, e jo mbi pullaz ku e ke bërë çerdhen - e këshilloi vremçi. Të nesërmen kur erdhi Xha Ibishi për të marrë pak kashtë për t'u shtruar lopëve, u befasua këndshëm kur e pa mysafirin e paftuar. Shumë shpejt u miqësuan. Dalëngadal lejleku u mësua ta hajë ushqimin që ia përgatiti Xha Ibishi dhe të përzihet e shoqërohet me bibat e tij. Ky ndoshta qe rasti i vetëm që një lejlek mos të shtegtojë për çdo vit.

Tahir Z. Berisha
Prishtinë, 1993


"SHKOJNË PAMPURAT…"

Çdo njeri që ka pasur "taksirat" të largohet për një kohë më të gjatë nga vendlindja, ka ndie mall dhe nostalgji për vendlindjen dhe njerëzit e vet. Këtë më së miri e ka shprehur Faik Konica në një shkrim të tij të shkurtër.

Për fat të keq, shqiptarët, gjatë tërë historisë së tyre kanë qenë të detyruar që të përndjeken, të shpërngulen me dhunë, të emigrojnë dhe ta kalojnë jetën në kurbet si refugjatë dhe mërgimtarë ekonomikë ose politikë. Disa prej tyre, madje edhe i kanë lënë eshtrat përgjithmonë në dhe të huaj. Prandaj, populli shqiptar shkaktarin e kurbetit si plagë të rëndë, gjithmonë e ka mallkuar:

"Kush së pari bani, more djalë, kurbetin
Mos ia dhashtë Allahu, jo kurrë selametin!"

Shpërnguljet e shpeshta dhe migrimet masive ekonomike e politike, shqiptarëve ua kanë shkaktuar pushtuesit e huaj, kushtet ekonomike dhe rrethanat shoqërore - politike në vend.

Një fatkeqësi tjetër e rëndë, e cila në të kaluarën ka lënë vragë të thella dhe dhëmbje të mëdha në kujtesën e popullit shqiptar, ka qenë edhe afati shumë i gjatë i shërbimit ushtarak gjatë sundimit pesëshekullor osman në tokat shqiptare. Pikërisht për këtë problem dhe këta "askerë" do të bëjmë pak fjalë në këtë shënim.

Shërbimi ushtarak në ushtrinë osmane ka zgjatur edhe nga 7 - 12 vjet. Të rinjtë shqiptarë pa dëshirën dhe vullnetin e tyre, kanë shërbyer e luftuar në vende të ndryshme të botës për interesat e Perandorisë Otomane. Shumë prej tyre janë vrarë ose kanë vdekur nga sëmundjet e ndryshme dhe kurrë më nuk janë kthyer në vendlindje.

Për shkak të qëndrimit të gjatë larg atdheut, mungesës së kontakteve dhe informatave, për shumë të rinj, me vjet nuk është ditur a janë ende gjallë apo janë zhdukur.

Prandaj, ka ndodhur që kur janë kthyer pas disa vjetësh nuk i kanë gjetur në shtëpi nuset e reja, të cilat ndërkohë janë kthyer në familjet e veta ose sipas zakonit të prapambetur, janë "kthyer" (martuar) për ndonjë mashkull tjetër të familjes së burrit. Këtë dukuri të shëmtuar dhe brengë të dhembshme e gjejmë në vargjet e këngës popullore "Shkojnë pampurat…", ku paraqitet gjendja e mjerueshme e "askerëve të mbretit":

"Shkojnë pampurat bregut të detit,
Dil e kqyr, moj nanë, askerin e mbretit.
Asker i mbretit, asker i ngratë,
gjysa deshë, e gjysa dathë."

Këngëtari popullor anonim i paraqet edhe preokupimet e shqetësimet shpirtërore të ushtarëve të rinj:

"Shkojnë pampurat tuj fishkllue,
Me askerë të mbretit janë ngarkue,
Do shkojnë tuj kajt, e do tuj k'nue."

Edhe në këtë gjendje pa kurrëfarë rrugëdalje e perspektive, ata përpiqen që të bëjnë diçka, duke shpresuar se do të bëhet farë ndryshimi ("dever tjetër") e ushtarët të kthehen në vendlindje:

"Hajde shokë ta shkrujmë ni kartë,
E, ta çojmë në atë vilatë,
T'u thomi vllazënve të mos na i marrin gratë,
Si të na presin gratë shtatë vjet,
Jepnu izë të shkojnë në shpi të vet,
Le të martohen, ku të dojnë vetë,
E le t'i marrin burrat pleqë,
Burrat pleqë, pleqë me mjekërr,
Se burrë të ri ma nuk ka tjetër,
Ishalla vjen ndoj dever tjetër,
Dever tjetër, dever i ri,
Ishalla vijnë askeri në shpi."

Shqiptarët gjithmonë kanë qenë të detyruar që të mbrohen me armë nga të huajt dhe të luftojnë për ekzistencë, duke u marrë me punë të rënda fizike. Prandaj, më tepër i kanë favorizuar djemtë se vajzat. Mirëpo, ushtarët e rinj të dëshpëruar e të zhgënjyer ua merrnin lakmi vajzave që nuk shkonin ushtarë, prandaj, në letër i porosisin të afërmit në vendlindje:

"Si t'ju leftë n'shpi ndo'i çikë,
Kqyrne e rujeni si dy sytë,
Por, n'ju leftë n'shpi ndo'i djalë,
Prejani kryet me gërshanë!
Mos e leni në Jemen me ardhë,
Se po vlojke xhezvja në zallë,
Krejt leshi krejes na ka ra!"

Tahir Z.Berisha
Londër, 2002

 

Vazhdon...